Transmetuar më 20-06-2018, 09:07

Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, thotë se Kryeministri mitoman gënjeu për refugjatët sepse ka pranuar të marrë 600 mijë.

Ai shprehet se Kryeministri Edi Rama, nuk jeton dot pa gënjeshtra.

“Ndonjë nga budallenjtë ose budallaçkat, që i rrinë përqark e ka bindur që është shumë i zoti kur gënjen në vend që t’i thonë copë, që duket komplet tuaf, i shpëlarë dhe ordiner kur gënjen. Dhe ky gënjen kaq shumë dhe pa pushim sa që ndonjë ditë edhe në thëntë ndonjë herë të vërtetën, jo vetëm që s’do ta besojë asnjeri, por as ai vetë nuk do ta besojë veten. Tamam një mitoman, kështu u shfaq edhe në problemin e refugjateve”, shprehet Vasili.

Ai shton se zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj deklaron për ‘ZDF’ gjermane një nga mediat absolutisht më të rëndësishme dhe të mëdha të Gjermanisë: “që kanë kapacitet dhe eksperience për deri në 600.000 azilantë nga Siria”.

Vasili pyet nëse e beson njeri që ‘ZDF’ interviston rastësisht një zëvendësministër të vogël të Shqipërisë së vogël.

Po ashtu ai kujton se, Kryeministri pak ditë më parë deklaroi sipas tij, një gënjeshtër të pacipë dhe të gjatë sa vetë ai: “Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë”.

Vasili ironizon me të qeshur, ndërsa thotë se nuk paska dëgjuar asgjë “gënjeshtari-Kryeministër”, ndërsa e fton që të dëgjojë zv.ministrin e tij që foli në ‘ZDF’.

Po ashtu deklaron se Kryeministri për të kapur negociatat është gati të shkatërrojë Shqipërinë dhe të marrë 600 mijë refugjatë, ndërkohë që shtete shumë e shumë herë më të fuqishme se Shqipëria nuk e marrin përsipër këtë gjë, “jo më ky që i la shqiptarët pa bukë”.

Sipas tij, Rama që ka bërë dhjetëra mijëra shqiptarë që të marrin arratinë nga Shqipëria do që të marrë 600 mijë refugjatë.

Vasili nënvizon se në vend që të luftojë trafiqet dhe krimin e organizuar, Kryeministri është bërë njësh me to.

Në këtë linëj thotë, se rruga më e lehtë e Kryeministrit për t’i hedhur hi syve Europës është të marrë refugjatët, të shkatërrojë Shqipërinë dhe t’ua bëjë jetën edhe më të padurueshme shqiptarëve, që edhe ata që kanë mbetur të ikin akoma më shumë.

“Ndaj mos i besoni kurrë këtij për çdo gjë që thotë, është thjesht një mitoman”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij, Petrit Vasili. /a.y/noa.al