Transmetuar më 14-06-2018, 18:49

Klubi i Skënderbeut ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që konfirmoi dënimin e dhënë nga UEFA për skuadrën shqiptare.

Sipas zyrës së shtypit të klubit korçar, ky vendim nuk është përfundimtar, pasi CAS ka refuzuar vetëm kërkesën për pezullimin e efekteve.

“Për të sqaruar opinionin publik, CAS ka refuzuar vetëm kërkesën për pezullimin e efekteve ndërkohë që është pranuar apelimi i vendimit të komisionit të apelit pranë UEFA-s. Vendimi përfundimtar do të merret në muajt në vazhdim”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, pak orë më parë, CAS rikonfirmoi dënimin me 10 vite përjashtim nga pjesëmarrja në kupat e Europës.

Skënderbeu është akuzuar shpesh për trukime, jo vetëm në kampionatin shqiptar, por edhe në kompeticionet europiane.

Këtë vit, korçarët u shpallën sërish kampionë të kategorisë superiore. /k.k/noa.al/