Transmetuar më 12-06-2018, 08:19

Presidenti Ilir Meta, ka një mesazh për të gjithë me rastin e ditës botërore kundër punës së fëmijëve.

Kreu i shtetit bën një apel të veçantë në ditën botërore kundër punës së fëmijëve, për të reflektuar dhe për t’u ndërgjegjësuar ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme.

Sipas tij, ende ka shumë fëmijë, që lypin në rrugë, punojnë në të zezë, jetojnë në kushte të papranueshme sociale e psikologjike, nuk arsimohen dhe janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

“Fëmijët tanë, janë e ardhmja jonë. Ata meritojnë një shoqëri që iu garanton të rriten të lumtur dhe në paqe”, shprehet Meta.

Ai kërkon që të tregohet më shumë vëmendje ndaj fëmijëve, më shumë vendosmëri për të penguar këto fenomene negative, për të forcuar masat ligjore ndaj përgjegjësve dhe përfituesve të shfrytëzimit të tyre dhe për të krijuar kushtet sociale në ndihmë të familjeve të varfra.

“Jo punës së fëmijëve! Jo dhunës, abuzimit, dhe shfrytëzimit të tyre!”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij Ilir Meta. /a.y/noa.al