Transmetuar më 06-06-2018, 20:12

Vendim historik mund të konsiderohet ai që shpalli sot Banka e Shqipërisë për të ndërmarrë operacione të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor.

Ky vendim që e publikoi sot, Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një dalje të posaçme për media, vjen në përpjekje për të frenuar uljen drastike të vlerës së euros e dollarit, por edhe disa valutave të tjera, duke forcuar shumë lekun.

“Duke u nisur nga nevoja e krijimit të kushteve të duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve si dhe duke reflektuar mbi reduktimin e hapësirës së përdorimit të instrumentit tradicional të politikës monetare, normës bazë të interesit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndërmarrjen e operacioneve të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Këto operacione do të ndërmerren në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ”, – deklaroi z.Sejko.

Operacionet e blerjes së valutës, – vazhdoi ai, – do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve.

“Në këtë mënyrë, – vijoi Sejko, – operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit.

Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të.

Sejko njoftoi se operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme dhe të mjaftueshme për përmbushjen e objektivave tanë.

Guvernatori theksoi se “përdorimi i operacioneve valutore është dhe do të mbetet një rast i veçantë, i ndërmarrë në rrethanat specifike të nevojës për reagim të politikës monetare dhe të ngushtimit të hapësirës së veprimit të instrumenteve të saj tradicionalë”.

Vendimi që shpalli Sejko vjen pasi ditët e fundit ka një “lumë” kritikash nga ekspertë të financave për atë që ata e quajnë mos-ndërhyrje të BSH në forcimin e lekut që e konsiderojnë si spekulativ dhe të papranueshëm, si dhe të rrezikshëm për ekonominë shqiptare.

Më herët, disa herë BSH dhe kreu i saj Sejko kishin deklaruar se nuk do të ndërhynin në kursin valutor me operacione si ky që u shpall sot.

Për BSH dhe Sejkon, “kursi i këmbimit në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë një kurs i lirë, i cili përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun valutor”.

Për këtë arsye, BSH fton “dhe një herë të gjithë operatorët e ekonomisë dhe të tregjeve financiare të shmangin ekspozimet e pastudiuara, të pambrojtura dhe të padëshiruara në valutë”. /noa.al/