Transmetuar më 05-05-2018, 18:24

Nga Spartak Ngjela

Basha kërkon një qeveri të përbashkët "antimafia" me socialistët - domethënë realisht, mafia po kërkon një qeveri antiamerikane

Po do ta arrijë dot?

Amerikanët sigurisht që po qeshin me mafien shqiptare pa intelekt.

Kurse ambasadorit amerikan në Tiranë iu shtua dhe një vit shërbim diplomatik si ambasador në Tiranë.

Kuptohet që ky është vetë projekti amerikan, një vit.

Por, Donald Lu e ka të lehtë tani me rinocerontët e korrupsionit të lartë shqiptar.

Atëherë - çfarë do bëhet me krerët e korrupsionit shqiptar?

l.

Ndalimi i pushtetarëve të korruptuar shqiptarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vijojë.

Hetimi ndërkombëtar i tyre po vijon me ritme të larta. Por ka dhe efekte të tjeta ndërkombëtare që tregojnë se ndalimi i personave të inkriminuar për të hyrë në Amerikë ka lidhje edhe me shkeljen e ligjit amerikan. Kjo tani po del qartazi.

Por kjo është një praktikë e hapur rishtas në Amerikë.

Dje Amerika e ndaloi hyrjen në USA të ish drejtorit të përgjithshëm të Volks Wagen-it, të quajtur Witencorn. Volks Wagen eshtë gjigandi gjerman i automobilëve, me xhiro vjetore prej 350 miliardë Euro.

Ndërkohë është arrestuar edhe shefi i filialit të VW në Kaliforni. Gjithçka lidhet me faktin që këta kanë pasur dieni për manipulimin e vlerave të gazit në tregun amerikan.

Kuptohet se kjo është e njëjta masë si ajo që i vendosën para disa kohesh Adriatik Llallës, i cili sigurisht që rezulton që edhe ky të ketë shkelur ligjin amerikan..

Mendimi është se këto masa do të vijojnë ende dhe për disa shqiptarë të pushtetshëm, por tani kuptohet se është fjala për pushtetarë që kanë shkelur ligjin amerikan.

Por dje. Në datën 4 maj, u kapën edhe dy të kërkuarit nga DEA për trafik ndërkombëtar të kokainës. Organet amerikane të investigimit gjurmues vënë në dukje se këta të dy janë të lidhur me politikën e lartë shqiptare dhe klientelën e tyre në Shqipëri.

Ndërkohë mendohet se hetimet amerikane kanë vërtetuar shkeljen e ligjit amerikan nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha: lobimi rus në Amerikë dhe provat për destabilizimin të Shqipërisë me anë të Rusisë. Nga këta të dy, një vit përpara, është kërkuar destabilizimi i Shqipërisë nëpërmjet subversionit rus, kur dihet që Shqipëria është një shtet anëtar i NATO-s.

Mendohet gjithashtu se, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, politika amerikane do të japë vendime të reja për ndalimin e hyrjes në Amerikë, kundër krerëve të korrupsionit shqiptar.

Nga të gjitha këto arrijmë në konkluzionin se Korrupsion i shqiptar është sot një bishë e mbyllur në kafaz hekuri. Tani, likuidimi i kësaj bishë duket se është një gjë e sigurt.

ll.

Nëse politikanëve të lartë shqiptarë nuk do t'iu lejohet hyrja në USA, kuptohet se këta nuk mund të jenë më të angazhuar në politikë derisa ta zbardhin realisht pozicionin e tyre.

Është e kuptueshme se, nëse politikanëve të lartë shqiptarë u ndalohet hyrja në Amerikë, për pozicionin e veçantë që ka Shqipëria dhe Kosova në lidhjet e veçanta ndërkombëtare me Uashingtonin, këta menjëhetë duhet të japin dorëheqjen nga postet politike. Çdo rrugë tjetër është një veprim kundër interesit kombëtar.

Interesi shqiptar në lidhje me aleancën shqiptaro-amerikane sot dihet botërisht se është interes i lartë kombëtar. Dhe arsyet politikë, sigurisht që sot janë të ditura për çdo shqiptar.

Por është pikërisht kjo politikë amerikane antikorrupsion kundrejt Shqipërisë, që i ka bërë këta aguridhë të politikës së lartë shqiptare që të përçarten drejt Moskës dhe Stambollit. Sigurisht që janë katër krerët e Shqipërisë, Berisha, Rama, Meta dhe Basha që tani janë të kapur me prova në veprimtarinë e tyre kundër politikës atlantike të Shqipërisë.

Por a do t'i ekspozojë politika amerikane këto prova kundrejt opinionit publik shqiptar?

Sigurisht që kjo do të varet nga veprimtaria e mëtejshme e katërshes së korruptuar.

Në funksion të kësaj, të paktën kryeministri aktual, Edi Rama, duhet të japë dorëheqjen. Në rrugën e aktivitetit politik në lidhje me aleancën e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin në përgjithësi, çdo veprimtari kundër kësaj aleance është shkelje e rëndë e interesit kombëtar.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al