Transmetuar më 05-05-2018, 16:21

Policia gjermane arrestoi biznesmenin Arbër Çekaj, i cili prej rreth dy muajsh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar lidhur me sekuestrimin e sasisë rekord të kokainës prej 613 kilogramësh në kontejnerin e kompanisë së tij.

Çekaj ishte larguar pak ditë para se policia të sekuestronte drogën ndërkohë ai fshihej në Gjermani duke përdorur mbiemrin e gruas daneze.

Pas shkëmbimit të informacionit mes dy policive, u arrit të bëhej lokalizimi dhe prangosja e tij.

Tashmë raportohet se kanë nisur procedurat e ekstradimit të tij. Interpol Tirana ka nisur kontaktet me zyrën në Gjermani. NOA mësoi nga burime pranë Interpol se ekstradimi i Çekajt do të bëhet brenda 10 apo 15 ditësh.

Nuk pritet të ketë vonesa pasi i gjithë dokumentacioni i nevojshëm është gati. Autoriteteve gjermane i është përcjellë vendimi i gjykatës që ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.

Lidhur me çështjen qëndrojnë në qeli edhe menaxheri i firmës Donaldo Lushaj dhe shoferi i kamionit që transportoi kontejnerin Armando Pezaku. As pronari i “Arbri Garden” dhe as këta të fundit nuk kanë pranuar se kanë pasur dijeni për ngarkesën./a.m./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd