Transmetuar më 01-05-2018, 20:57

Nga Andi Bushati

Lulzim Basha ka një dramë: sa më shumë që i duket sikur forcohet në karriken e kryetarit të PD-së, aq më pak interesant bëhet në sytë e publikut. Ai me Kuvendin Kombëtar mbylli një proces mburojë ndaj çdo kujt që do të guxojë ta sfidojë brenda partisë, por për fatin e tij të keq, lajmin e kësaj ngjarjeje e bënë të tjerë. Sytë e mediave, të konsumatorëve të tyre, madje ndoshta edhe të vetë demokratëve nuk i tërhoqi organizimi butaforik i Bashës, por dy ngjarje shumë me më pak pretendime dhe shumë më të thjeshta: fjalimet e ish kryetarit të dikurshëm të PD-së Selami dhe ai i një ish drejtuesi të degës lokale të kësaj partie për Kuksin.

Ibsen Elezi nuk bëri propagandë. Ai ngriti një pyetje të thjeshtë: Si mund të kemi ne si demokratë kredibilitet, të luftojmë korrupsionin galopant të Edi Ramës, kur këtë s’e kemi bërë në radhët tona, me ish udhëheqësit tanë milionerë? Me pak fjalë dhe me një gjuhë shumë të kapshme, ai tërhoqi vëmendjen dhe u bë i besueshëm për të gjithë ata që thonë se kjo nuk është as një luftë për vlera dhe as një betejë për parime, por thjesht një kacafytje për pushtet se kush të marrë pjesën më të madhe të tortës.

Me një mënyrë të ndryshme dhe me stilin e tij karakteristik edhe Eduart Selami ngriti të njëjtat shqetësime. Çdokush që e dëgjonte fjalimin e tij të shpërndarë të plotë edhe në rrjetet sociale, nuk e kishte të vështirë të ngrinte pyetjen: Si mund ta luftojë delirin autoritar të Edi Ramës një forcë politike që po çimenton pushtetin e njishit?  Si mund të pretendojë ajo të ketë sukses, kur me linçime dhe fishkëllima po kthen pas një film të shfaqur që në 1995?

Po t’i qëmtosh me vëmendje, në këto dy fjalime nuk ka asnjë gjë të veçantë, aty nuk ka as një program të paqortueshëm, as një zgjidhje “deux ex machina” për përmirësimin e gjendjes dhe as një lloj të ri fjalori politik.

Por ato tërhoqën vemendjen deri në eklipsimin e plotë të asaj që ndodhi në Kuvendin Kombëtar për faktin e vetëm se aritën të artikulojnë të vërteta tmerrësisht të thjeshta, nga ato që nuk i thotë dot më politika. 

Sot, Lulzim Basha shpik cirqe me politikë të re, ndryshime statuore, hapje dhe përtëritje, për faktin e vetëm se ai nuk i përgjigjet dot disa pyetjeve bazike.

Pse humbi në 2015? Pse e thelloi disfatën dy vite më pas? Pse i ngrefi demokratët se do rrëzonte Ramën dhe e shfrytëzoi çadrën për luftë brenda llojit, pasi u fut në koalicion me kryeministrin? Pse nuk ka guxuar kurrë të distancohet nga korrupsioni endemik i PD-së në pushtet, nga ish klientët oligarkë që tani i ka rrëmbyer Rama dhe nga gabimet vrastare që rrëzuan Sali Berishën?

Prej 5 vitesh, ai herë duke kërkuar ndonjë ndjesë timide, herë duke pranuar ndonjë gabim anësor dhe herë duke premtuar se gjithçka do të shkojë mirë kur ai të vijë në pushtet, ka arritur të formëzojë një amalgamë që nuk ngjit.

E keqja e tij e madhe është se ai nuk arrin dot t’u thotë shqiptarëve të vërteta të plota. Ndaj ai vuan indiferencën, mungesën e vëmendjes së tyre dhe brerjen e shpresës se rotacioni i pushtetit mund të pillte ndryshim.

Ky qe dhe paradoksi i butaforisë së Kuvendit të fundit Kombëtar. Basha bëri gjithçka që në formë, ai të ishte një shfaqje perfekte, një etapë e re drejt suksesit, por efekti i tij u zhbë sa hap e mbyll sytë, nga dy fjalime krejt periferike. Ato tërhoqën vëmendjen dhe morën jehonë thjeshtë se folën me një gjuhë të ndryshme nga ajo e PD zyrtare.  Ato bënë lajm, se qenë në sintoni me atë që njerëzit mendojnë realisht. ©Lapsi.al

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al