Transmetuar më 17-04-2018, 12:04

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë sërish në qeli katër të arrestuarit për ekzekutimin e 29 janarit në Tiranë, ku mbeti i vrarë Devi Kasmi.

Duke rivlerësuar masën e sigurisë ndaj Efthymiou Efthymious, Elton Hoxhallarit, Malvin Dinellarit dhe Elton Halipaj, Krimet e Rënda vendosën që të dyshuarit të qëndrojnë në qeli në vijim të hetimeve.

Dosja ndaj të akuzuarve i kaloi Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi Gjykata e Tiranës, shpalli moskompetencë për çështjen, për shkak se të pandehurit rezultojnë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal

Në qeli do të qëndrojnë, shtetasi grek Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, Elton Hoxhallari 36 vjeç, Malvin Dinellari 30 vjeç dhe Elton Halipaj, 36 vjeç.

Devi Kasmi (Dëfrim Kasmi) u vra në afërsi të pallatit ku banonte, ku dyshohet se e kishin nxjerrë në pritë.

Lidhur me atentatin ndaj Kasmit, pak ditë pas ngjarjes u arrestuan Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Sakaq u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Rolet e të pandehurve në krim

Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Ndërsa Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd