Transmetuar më 16-04-2018, 12:17

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i pranishëm në aktivitetin "Forumi qytetar për sigurinë publike" ka deklaruar se në Elbasan janë dy tre grupe kriminale që njihen shumë mirë dhe po punohet për t'i dokumentaur në mënyrë që shumë shpejt të vihen para ligjit.

"Do ua nxijmë jetën" tha Xhafaj duke iu referuar jo vetëm këtyre dy grupeve kriminale të identifikuara në Elbasan, por dhe grupeve të tjera kriminale që veprojnë në Shqipëri.

Më tej ai theksoi se brenda pak muajve është arritur të skedohen të gjithë grupet kriminale që veprojnë në territorin  e Shqipërisë apo ushtrojnë veprimtari jashtë vendit.

“Policia është para disa sfidave që kanë të bëjnë me rendin. Në zbatim të disa prioriteteve është e angazhuar në disa sfida me rëndësi, luftën kundër krimit dhe parandalimin e terrorizimit. Angazhim për t’u përballur me krimin e organizuar. Plan masash konkrete për të goditur grupet kriminale. Dua të them që ‘Forca e Ligjit’ është operacion i suksesshëm, kemi skeduar të gjitha grupet kriminale brenda apo jashtë vendit. Kemi evidentuar dhe në bashkëpunim prokurorinë kemi goditur një pjesë të rëndësishme, por jemi ende në fillim”, u shpreh Xhafaj.

Ministri i Brendshëm deklaroi se deri tani janë goditur 7 grupe kriminale me 100 persona të arrestuar, drejtues apo anëtarë. “Do i vendosim grupet kriminale para ligjit, por edhe asetet kriminale të tyre. Shqetësime të kësaj natyre ka edhe në Elbasan, kemi 2-3 grupe kriminale, i njohim shumë mirë, po  punojmë për të dokumentuar dhe ti vendosim shumë shpejt para përgjegjësisë penale. 

Shteti është më i fortë se cdo lloj krimineli. Policia do u nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë, të ndëshkohet në formën më të ashpër. Do i shkojmë deri në fund me çdo lloj sakrifice”, shtoi Xhafaj.

Gjatë fjalës së tij Xhafaj pranoi se edhe në radhët e policisë së shtetit ka policë që nuk e meritojnë që të shërbejnë, por vettingu që po bëhet do i largojë nga sistemi. Por, Xhafaj shtoi se ka më shumë politikanë me probleme që bëjnë dëm më të madh.

“Nuk mund të jetë e imunizuar policia nga problematikat. Ka më shumë politikanë me probleme që bëjnë dëm më të madh, por ka edhe policë të cilët nuk i përgjigjen standardit ligjor dhe etik për të qenë në këtë funksion shërbimi. Kjo është arsyeja që ndërmorëm vettingun në polici, si për prokurorët dhe gjyqtarët, që është duke dhënë frytet e para. Ne kemi marrë një drejtor policie, një nga drejtuesit më me eksperiencë e kemi sakrifikuar dhe e kemi sjellë këtu edhe si reflektim i asaj tronditje që u krijua këtë para disa muajsh, por edhe se këtë projekt ta zhvillojmë më parë këtu në Elbasan”, tha Xhafaj. /b.l/noa.al/