Transmetuar më 13-04-2018, 13:40

Sapo kanë filluar ditët e ngrohta. Çdokush zgjohet në mengjes nga rrezet e para të diellit dhe gjëja e parë që i shkon në mendje është freskia që përcjellin valët e detit, veçanërisht kur vapa bëhet perveluese, ndërsa pigmenti që i ofrohet trupit nga rrezet e fuqishme të diellit përbën aksesorin më të rëndësishëm në ditët e verës. 

Të gjithë duam që në verë të nxihemi sa më shpejtë, por në mënyrë të shëndetshme, pa vënë në rrezik shëndetin e lëkurës sonë. Përveç zgjedhjes së kremërave të duhura diellore për tu mbrojtur, lind nevoja edhe e tipit të preferuar të ushqimit, falë marrjes së vlerave ushqyese, vitaminave dhe mineraleve, për një nxirje sa më të lehtë.

Ushqimet që favorizojnë nxirjen- Sekreti i parë është të hani ushqime me betakarroten, një pigment vegjetal që favorizon prodhimin e melaninës, përgjegjëses për ngjyrën e errët të lëkurës. Pra, mos harroni në frigorifer karrotat, radhiqet, specat e domatet. 

Përsa i përket karrotës, frutës së plazhit, ajo jo vetëm që ka vlera ushqimore, proteinike dhe përmban vitaminat C, D, E, por gjithashtu ndihmon në thithjen e shpejtë të rrezeve dhe të shpërndarjes mjaft mirë në trup. Çdo ditë e pushimeve në bregdet duhet të nisë me një 100-200 gr lëngje dhe një karrotë. Ndërsa fruta janë ato të stinës, kajsitë, pjepri, qershitë e pjeshkët. Për të mos u nënvlerësuar edhe perimet si çikorja, selinoja etj.

Kremi diellor i përshtatshëm për ty- Përveç ushqyerjes së shëndetshme para se të dilni në diell sigurohuni që keni zgjedhur kremin mbrojtës të duhur për lëkurën tuaj. Për shembull, nëse lëkura juaj është e yndyrshme, shihni për xhelin apo kremin që thahet. 

Pra, produkte që nuk lënë vajisen në fytyrë. Nëse lëkura juaj është e thatë fokusohuni tek qumështi i zakonshëm solar apo lëngje që hidratojnë lëkurën, e mbajnë të butë dhe e bëjnë më të shndritshme. Nëse nuk e duroni dot ndjesinë e të pasurit krem në fytyrë apo bezdinë e rërës që ju ngjitet, provoni formën spray./b.l/noa.al/