Transmetuar më 11-04-2018, 12:40

Ish Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti shprehet se skema e re e subencionimit të bujqësisë në vend, përgatitet që të hedhë rrënjë “mesjetare” pasi paratë që qeveria do të japë do të shkojnë drejt fermerëve të mëdhenj, ndërsa ata të ulët e të mesëm do të mbeten pa asnjë kacidhe ndihmë.

Rezultati do të jetë një bujqësi në dorë të “land- lordëve” ndërsa fermerët e vegjël do të bëhen “hyzmeqarë” të pronarëve të mëdhenj të tokës.

“Bujqësia e cila është dega me e madhe prodhuese e ekonomisë së vendit, përgatitet të  financohet nga skema të cilat nxjerrin jashtë  loje, fermerët e vegjël të mesëm, bujqit dhe blegtoret e varfër, të cilët ndodhen në nevojë urgjente për mbështetje me fonde  dhe favorizon vetëm te mëdhenjt dhe të fuqishmit. 

Mesazhi qe jepet është qartë, të mëdhenjtë të gëlltisin te vegjlit , duke i shndërruar këta te fundit ne rastin me te mire ne punëtore me mëditje, sigurisht nëse latifondistët dhe landlordet e rinj do kenë nevojë për ti punësuar. Madje kjo ne qëndrimin zyrtar te qeverise konsiderohet edhe si mekanizmi i konsolidimit te tokës bujqësore dhe i zgjerimit të sipërfaqes”, tha Panariti.

Më tej ai ka propozuar që fondet e mbështetjes financiare për fermerët blegtorët, bujqit  të kalojnë si mbështetje direkte për ta, ndërsa siç thekson Panariti sipërmarrja e madhe bujqësore të mbështetet me kredi të favorshme, sepse për këtë qëllim sipas tij qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen me Bankën Europiane për rindërtim dhe zhvillim duke vendosur në dispozicion një  fond garancie që kishte për qëllim sidomos mbështetjen me kredi të favorshme të sipërfaqes së mesme dhe të madhe. 

“Ndërsa fondet, grantet, paratë e dhuruara duhet të shkojnë vetëm për fermerët për bujqit e varfër të cilët kanë nevojë të qëndrojnë në këmbë në mënyrë që mos të braktisin bujqësinë, fshatin dhe vendin ku kanë lindur. Vetëm në këtë mënyrë ne do të krijojmë një substrat të një ekuilibri social i cili është prishur tashmë rëndë dhe po e çon vendin drejt një polarizimi të rrezikshëm”, shtoi ish Ministri i Bujqësisë./b.l/noa.al/