Transmetuar më 27-03-2018, 15:54

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, gjatë raportimit të sotëm në Komisionin e Ekonomisë, ka ndaluar te taksa e re e pronës, për të cilën pati jo pak polemika. Ministri tha se projekti do të marrë mbështetje nga prill 2018- dhjetor 2020 dhe rreth 3.5 mln euro do t’i mundësohet nga qeveria suedeze, sipas projektit të parashikuar.

Ahmetaj tha se në këtë projekt do të përjashtohen banesat sociale, pensionistët që jetojnë vetëm, strukturat akomoduese me status special. Metodologjia është bazuar nga databazat e shoqatave të bashkisë, sipas tij, duke ruajtur kështu autonominë vendore.

“Do të bazohet mbi vlerën e  tregut të banesave, dhe do t’i jepet  mundësia bashkive që të ulin çmimin deri në 30% për zonat periferikë. Për Tiranën shkon deri në 35% ulja që mund të bëjë bashkia për të ndihmuar grupet në nevojë.  Për ndërtesat në proces ndërtim është vendosur një koeficient 30 për qind”, tha ministri Ahmetaj.

Më tej, ai bëri me dije se nesër do të miratohet projektvendimi për drejtorinë e përkohshme të administrimit të taksës së pasurisë.

Kundërshtitë e para erdhën nga deputetja opozitave Jorida Tabaku. Sipas saj, të ardhurat nga taksa e pronës parashikohen dyfish më të larta. “Sa realist është parashikimi? A ka marrë parasysh që mund të çojë në uljen e arkëtimeve të Agjentit që do të mbledhë taksën?” drejtoi pyetjen znj. Tabaku.

Sipas Znj. Tabaku, sistemi dixhital kërkon kohë dhe nuk është ende gati. Ahmetaj iu përgjigj se kadastra do të jetë gati brenda disa muajve. Sipas tij, është detyra e qeverive vendore për të administruar taksën.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Komisionit z. Erion Braçe shtroi pyetjen se si do të operohet me përjashtimet nga taksa e pronës, kur kjo kategori në 1 prill nuk është gati. Kreu i financave shqiptare tha se bashkitë e kanë gati databazën për ata që do të përjashtohen.

Taksa e pronës, sipas formulës së re tashmë të miratuar edhe në mënyrë ligjore do të nisë zbatimin e saj nga 1 prilli i këtij viti. Ligji parashikon një hark kohor parapërgatitor për institucionet që është periudha janar-mars ndërkohe që nga 1 prilli ligji “Për taksat vendore” ku përcaktohet edhe taksa e pronës është parashikuar të hyjë në fuqi.

Formula e re e taksimit të pronës paraqet në vetvete një reformim tërësor nga e kaluara, për të cilën do të merret asistence nga institucionet ndërkombëtare të specializuara. Ky është një projekt tre vjeçar me SIDA-n (Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar) e cila do të asistojë palën shqiptare.

Qeveria në ligjin “për taksat vendore” caktoi përqindjen që do të llogaritet si taksë nga vlera totale e ndërtesës.

“Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë: a) 0,05 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim; b) 0,2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; c) 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi” thuhet në ligj.

Nga ana tjetër agjenti i mbledhjes së kësaj takse sikurse është deklaruar edhe më herët është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Në ligj kushtet për agjentin lidheshin me bazën e të dhënave si dhe sistemin elektronik. Aktualisht OSHEE është duke punuar me projektin për përditësimin e adresave që indirekt edhe pse nuk është deklaruar asnjëherë, mund të ndihmojë edhe për arkëtimin e taksës së re të pronës.