Transmetuar më 08-03-2018, 14:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me rastin e 8 Marsit, ua ka kushtuar urimin e tij, grave pa ndihmë ekonomike dhe në kushte të mjerueshme mbijetese.​

Ne ditën ndërkombëtare të gruas ai uron të gjitha vajzat dhe gratë për sa më shumë suksese dhe lumturi për veten e tyre dhe fëmijët.

Basha thotë se sot disa prej grave dhe vajzave janë kënaqur me një lule, disa të tjera janë ngritur në protestë për më shumë të drejta, por nënvizon se ka gra që i kanë folur publikut nga konferenca luksoze, por ka shumë edhe nga ato gra që janë pa asnjë ndihmë.

“Sot me mendje jam me të gjitha nënat që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët e tyre. Jam me Marijen në Kamëz, kryefamiljare e përjashtuar nga ndihma ekonomike, që mban frymën gjallë me gjysëm thesi miell. Jam me Mirelën, nënën e Maristelës në Vorë, që nuk kishte më para për të blerë ilaçet për vajzën e sëmurë rëndë me azëm, sepse i kishin hequr të drejtën e ndihmës ekonomike. Jam me Dritën në Kavajë, që kishte çuar të dy fëmijët pa ngrënë në shkollë, sepse emri i saj nuk ishte më në listën e ndihmës ekonomike. Sot jam me Valentinën në Obot të Shkodrës, e cila, përveç heqjes nga ndihma ekonomike, tani vuan edhe përmbytjen e shtëpisë”, shkruan Basha në Facebook.

Ai shton se në mendje sot ka edhe Anitën nga Tirana, nënën që sipas tij, rri në radhë tek spitali onkologjik, por jo gjithmonë merr kurën e duhur, sepse ilaçet mungojnë.

Kryedemokrati vijon më tej, duke deklaruar se në mendje ka çdo nënë dhe grua që nuk ia del dot të mbyllë muajin, çdo grua që dhunohet, çdo grua që fle dhe zgjohet me brengën për fëmijën e paushqyer.

“Çdo dhimbje e tyre është motiv për mua që të bëj gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet!”, përmbyll mesazhin e tij Lulzim Basha. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd