Transmetuar më 05-03-2018, 19:30

Ndeshja e fundit e javës së 23 në Superligën shqiptare të futbollit mes Vllaznisë së Shkodrës dhe Flamurtarit të Vlorës është mbyllur me rezultatin 3 - 0 në favor të shkodranëve.

Kjo ishte një fitore mjaft me peshë për Vllaznisë në luftën për mbijetesë. Fillimisht ishte mesfushori Erjon Vucaj, ai që i dha epërsinë shkodranëve me një goditje nga distanca.

Për golin e dytë mendoi mesfushori shkodran Xhevair Sukaj, i cili me një goditje me të majtën thelloi diferencën. Sukaj shënoi edhe golin e tretë, por këtë radhë me kokë.

Vllaznia ngjitet në vendin e 8 me 25 pikë, ndërsa javën e ardhshme do të udhëtojë drejt Kamzës. Me këtë humbje Flamurtari zbret nga vendi i dytë në renditje, duke e dorëzuar tek veriorët e Kukësit.

Në ndeshjet e tjera të javës së 23, Skënderbeu mposhti me rezultatin e thellë 4-0 Laçin. Kukësi fitoi 1 - 2 në fushën e Lushnjës, e cila duket se është dorëzuar pa kushte drejt një kategorie më poshtë. Në Durrës, Teuta vendase barazoi "in extremis" me Partizanin, ndërsa Luftëtari mposhti Kamzën në Gjirokastër. /m.sh/noa.al/