Transmetuar më 28-02-2018, 18:37

Disa orë pas sekuestrimit të sasisë rekord prej 613 kilogram kokainë, në portin e Durrësit, ka ardhur reagimi i parë i Bashkimit Europian.

Ambasada e Unionit në vendin tonë, ndërsa ka përgëzuar rezultatin e këtij operacioni, ka bërë thirrje që të vazhdojë lufta kundër krimit.

“Përgëzime doganave dhe policisë për operacionin e suksesshëm të sekuestrimit të 614 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit. Punë e paqme, vazhdoni përpara edhe më tej me luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në reagim.

Më tej ambasada nënvizon se “kriminelët nuk mund të fitojnë ndaj fuqisë së ligjit. Shteti ka nevojë të qëndrojë vigjilent dhe i fortë kundër grupeve të krimit të organizuar që përpiqen ta rrisin trafikun e drogës”.

Ky operacion ka sjellë reagime të forta edhe në radhët e politikës shqiptare, mes mazhorancës dhe opozitës.

Ndërkohë ka pasur një reagim edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Diplomacia amerikane mbështet vazhdimin e punës për luftën ndaj krimit.

Reagimi i ambasadës së SHBA:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Administrata Antidrogë e Shteteve të Bashkuara (DEA) përgëzojnë Policinë Shqiptare të Shtetit për kapjen e 614 kilogramë kokainë kolumbiane dje në Durrës.

Kjo është sasia më e madhe e kokainës apo heroinës që është kapur prej vitesh. Është një tregues pozitiv i vigjilencës së policisë, por edhe një shenjë shqetësuese se trafikimi i kokainës dhe drogave të tjera është në rritje.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë dhe mbështesin përpjekjet në zbatimin e ligjit për të parandaluar trafikimin e drogave në Shqipëri dhe për të arrestuar personat përgjegjës. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd