





Pak ditë më parë lajmi i vdekjes së papritur të aktores së njohur të filmave dhe serialeve tronditi kinematografinë indiane.
Aktorja e njohur indiane e Bollivudit, Sridevi Kapoor, ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare. Ajo ndodhej në Dubai në dasmën e nipit të saj kur ndërroi jetë.
Lajmi i papritur për vdekjen e Kapoor, u shoqërua me reagime e mesazhe ngushëllimi nga shumë aktorë, kolegë, politikanë dhe admirues të artistes.
Rrjetet sociale u pushtuan nga fotot e aktores dhe shumë prej roleve me të cilat ajo ka bërë histori. Nga raportimet e para të bëra publike nga Bollywood-i, Sridevi Kapoor është ndarë nga jeta si pasojë e një ataku kardiak.
Por 54-vjeçarja, sipas autopsisë, ka humbur jetën pasi ka humbur ndjenjat në vaskën e dhomës të hotelit ku po qëndronte dhe është mbytur aksidentalisht.
Përfundimet e autopsisë kanë rrëzuar deklaratën e familjes, se aktorja ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak. Në trupin e saj, madje, sipas raportit, janë gjetur dhe doza alkooli.
Për mbi 4 dekada me radhë ajo ka interpretuat në më shumë se 150 filma duke përfshirë edhe filma klasikë si Mr India, Chandni, Chaal Baaz dhe Sadma.
Ajo cilësohej si një nga të paktat aktore indiane e aftë të arrijë sukses të madh në kinematografi pa ndihmën e një protagonisti mashkullor në film./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





