Transmetuar më 26-02-2018, 11:24

Prokurori kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë, zhvilloi një takim me kryeprokuroren Arta Marku.

Në përfundim të takimit të zhvilluar paraditen e sotme, ai bëri me dije se u diskutua për hetimet që janë në vijim mes dy shteteve.

“Kemi evidentuar si kriminaliteti shqiptar është shumë prezent në Itali. Ka aftësi të bashkëpunojë me mafian italiane si Ndragheta, Sacra Corona Unita dhe burime të tjera kriminale në Itali. Kriminaliteti shqiptar ndërhyn në trafikun e drogave, armëve dhe së fundi në drejtimin e trafikut të kokainës”, u shpreh Cafiero De Raho.

Ai shtoi se hetimet që po mbahen në Itali janë të shumta. Ndër të tjera tha se në Shqipëri, mafia është e lidhur me politikën.

“Gjatë punës time kam goditur grupet kriminale, të cilët kishin persona në polici. Për vite këto struktura nuk kanë funksionuar në mënyrë më të mirë dhe është e dukshme. Vettingu tregon dëshirën e mirë që të luftohet krimi. Operacionet mes dy vendeve janë serioze për të goditur krimet kriminale. Kanabisi që po vjen në Itali, është neper magazinat e Shqipërisë”, tha ndër të tjera prokurori italian. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd