



Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit jep parashikimin lidhur me situatën e motit në vend.
Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme në shumicën e qarqeve priten reshje mesatare, ndërsa në Vlorë dhe Gjirokastër intensive.
Pritet prania e reshjeve të dendura në formë dëbore, kryesisht në zonat malore, por edhe në ultësirat fushore deri në afërsi të bregdetit, me një shtrirje kohore nga dita e hënë deri në fillim të ditës së mërkurë.
Reshjet e dëborës në kuota të ulëta mund të sjellin problematika të ndryshme, deri në bllokime, të transportit rrugor. Kjo është pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave, duke bërë që gjatë netëve i gjithë territori të jetë me temperatura negative.
Në rastin e reshjeve të dëborës, 1 mm reshje=1 cm dëborë e re.
Ditën e nesërme, e hënë, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: +1 -10°C; në vendet e ulëta 0-8°C dhe në vendet malore- 10- 0°C.
Sa i takon erës era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në veri dhe në bregdet deri e fortë.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se lumenjtë e mëdhenj, në të gjithë territorin do të kenë tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve përgjatë ditëve në vazhdim. Rritja më e ndjeshme do të vërehet në lumenjtë e vegjël jugorë qarqet Vlorë dhe Fier, përgjatë datave 26 dhe 27 Shkurt. Në këto dy qarqe mund të ketë edhe probleme të vogla nga përmbytjet urbane, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





