Transmetuar më 25-02-2018, 11:59

Një grua është vënë nën akuzë nga Prokuroria e Durrësit, pasi ka arritur të përvetësojë, plotë 900 mijë euro nëpërmjet mashtrimit.

Që nga viti 2016, dentistja Olesia Duka, 38 vjeçe, i ka marrë një personi shumën e  parave nëpërmjet mashtrimit.

Nisur nga dëmet e mëdha të shkaktuara, Gjykata ka vendosur sekuestron preventive për pesë pasuri të autores dhe familjarëve të saj me një vlerë mbi 300 mijë euro.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në 26 janar 2018 ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, të parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases O.D. banuese në Tiranë në dëm të shtetasit paditës I.H.

Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autorja e veprës penale Olesia Duka, është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, e cila me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H., që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.

Gruaja vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë. Për këto arsye nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, është caktuar masa e sigurimit arrest me burg për shtetasen Olesia Duka e datëlindjes 26.09.1980, me banim në Tiranë.

 Nisur nga dëmi i madh i shkaktuar të dëmtuarit nga vepra penale, nga ana e Gjykatës është vendosur sekuestroja preventive për pesë pasuri të autores dhe familjarëve të saj me një vlerë mbi 300 mijë euro. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shumave të vjedhura dhe të fshehura nga ana e autores së veprës penale. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd