Transmetuar më 24-02-2018, 21:06

Nga Artan Fuga

Modelin e Universitetit Publik nuk mund të na e imponojë kërkush, ai është dhe do të jetë vepër e profesoratit, e personelit dhe e të gjithë studentëve si një e mirë publike.

Forumi për liritë akademike dhe autonominë universitare, një agjenci që tashmë njihet për mobilizimin e pedagogëve për një universitet publik cilësor, demokratik, jo të korruptuar, duke parë gjendjen e vështirë ku i kanë futur universitetet publike dhe i gjithë sistemin universitar i vendit, kaosin që ka prodhuar legjislacioni aktual i ligjit për arsimin e lartë, etj., ka vendosur që t'u drejtohet të gjithë trupave akademike të universiteteve të Shqipërisë,me këtë platformë që po qarkulloj si pjestar i atij forumi. Universiteti nuk imponohet, ai është vepër ekskluzive e pedagogëve dhe e studentëve të tij.

Forumi na fton që secili ta shpërndajë, dhe duke krijuar idetë e veta, të jemi të gatshëm të diskutojmë për përmirësime, ndryshime, plotësime në mënyrë krejt të ligjshme.

Kolegë dhe studentë merrni në dorë fatet tuaja profesionale sepse arsimi kombëtar është në krizë, kaos, po politizohet dhe po përbuzet e fyhet, po nëpërkëmbet nga persona të korruptuar, parazitë dhe të paaftë !

Politika na ka futur në kaos gjithashtu!

------------------------------------------------------------

PLATFORMË E FORUMIT PËR LIRITË AKADEMIKE DHE AUTONOMINË UNIVERSITARE

100 objektiva strategjikë për një universitet cilësor,

demokratik, funksional

1. Përmirësimi i mësimdhënies dhe i cilësisë të procesit mësimor

1.1. Ri-identifikimi i roleve në angazhimin e profesoratit në mësimdhënie.

1.1.1. Futja e konceptit dhe praktikave të leksioneve magjistrale, të cilat bëhen nga profesorë me tituj kur plotësojnë një sërë kërkesash,si p.sh., janë autorë tekstesh, dejtues kërkimesh shkencore, etj. Këto janë parashikuar si leksione të grupuara, që mund të konsiderohen edhe trans-fakultetore. Në këto grupe leksionesh mund të përmblidhen të gjithë studentët që bëjnë të njëjtat lëndë në fakultete të ndryshme. Për shembull, në të gjithë universitetin mund të jenë dy ose tre profesorë që japin mësim ndonjë nga këto lëndë dhe studentët regjistrohen në këto lëndë sipas zgjedhjes së tyre të lirë, pra shkojnë te pedagogu që dëshirojnë, lirisht, pavarësisht fakultetit ku janë regjistruar.

1.1.2. Hiqet organizimi i orës pedagogjike në formën e « seminarit » dhe zëvendësohet me atë të « tutorialeve ». Tutorialet konsiderohen si takime me frekuencë të rregullt që mbështesin studentët, të cilët ndjekin leksionet magjistrale në lëndët përkatëse. Tutorialet drejtohen nga pedagogë që kanë titullin « doktor » ose « profesor i asociuar ».

1.1.3. Ndahen rolet e pedagogut që bën leksionet magjistrale, atij që drejton tutorialet dhe i pedagogëve që marrin në provim në fund të zhvillimit të çdo lënde të veçantë. Studenti ka notën që merr përgjatë takimeve tutoriale dhe notën e provimit përfundimtar, të cilin e kryen nën kontrollin e një grupi tjetër pedagogësh dhe vlerësohet pavarësisht pedagogëve me të cilët ka kryer lëndën. Kjo realizohet kur pedagogu i lëndës i paraqet degës mësimore të çdo fakulteti një listë me pyetje të mundshme që përzgjidhen nga dekanati në nivel fakulteti. Edhe korrigjimi i testeve bëhet në mënyrë elektronike nga grupe kontrolluesish që nuk janë pedagogët e asaj lënde. Studenti, kështu, ka të evidentuar dy nota për çdo lëndë, atë të kontrollit të vazhdueshëm dhe notën e kontrollit përfundimtar. E para vendoset dhe administrohet nga pedagogu i lëndës, kurse e dyta administrohet nga pedagogë ose korrigjues të tjerë. Nota përfundimtare del si rezultat i kombinimit të notave të mësipërme.

Sistemi i notave bëhet me 20 ose 30 pikë.

1.1.4. Veç pedagogëve që mbulojnë nivele të ndryshme mësimdhënieje, në role të tjera janë:

- Drejtuesi i punimeve të diplomave në të dy nivelet e formimit, bachelor dhe master. Ky drejtues mund të jetë i përzgjedhur nga vetë studenti, mbi bazën e kompetencave të deklaruara publikisht të pedagogëve dhe aprovohet përfundimisht nga departamenti përkatës. Departamenti, në fillim të vitit akademik, duhet të miratojë një strategji të kërkimit shkencor ku të përcaktohen fushat prioritare të grupeve të kërkimit, mbi të cilat, më pas të bëhen propozimet e temave nga drejtuesit e punimeve të diplomave, sipas interesit. Kjo kartë prioritetesh bëhet publike pasi diskutohet dhe miratohet në departament në fillim të çdo viti akademik.

- Këshilltari i trajektores së studimeve për çdo kurs studentësh.

- Antari i komisionit të mbrojtjes të diplomave. Ky komision përbëhet nga jo më pak se pesë antarë, ku dy janë të brendshëm të departamentit ku kryen studimet studenti dhe tre të tjerë janë jashtë departamentit. Njëri prej këtyre të fundit duhet të jetë jashtë fakultetit. Nga pesë antarët e komisionit, njëri prej tyre duhet të jetë jo i punësuar në Universitetin e Tiranës me kohë të plotë pune, por duhet të vijnë nga bota profesionale e fushës ku diplomohen studentët. Drejtuesi i temës të diplomës nuk bën pjesë në komisionin e mbrojtjes, por jep vlerësimin e tij me shkrim dhe propozon notën e tij përkatëse që ka vetëm vlerë konsultative për komisionin.

- Puna për përgatitjen e diplomave të të dy niveleve kryhet brenda lëndëve të veçanta të parashikuara në planin mësimor për këtë qëllim. Ato janë të njësuara me seanca tutorialesh.

- Çdo profil studimesh , edhe brenda një departamentit, ka një përgjegjës-koordinator, i cili ka kompetenca që duhet të përcaktohen në nivel universiteti, punë e cila mbahet parasysh në kualifikimin profesoral të tyre, si edhe kompensohet qoftë me ulje të ngarkesës mësimore, qoftë në formë monetare.

Të gjitha detyrat e asociuara me statuset e pedagogëve parashtruar më sipër shpërblehen ose në formë monetare të përcaktuar qartazi nga organet përkatëse, ose bëjnë pjesë në ngarkesën mësimore, ose ekuivalentohen me ngarkesa të tjera mësimore a administrative të pedagogut përkatës.

1.2. Rikonceptimi i dokumenteve bazë të procesit mësimor dhe plotësimi i tyre cilësor.

1.2.1. Çdo lëndë, deri në vitin 2019 nuk mund të kryhet nëse nuk ka këto tekste të shkruara ose në formë numerike të aksesueshme lirisht nga studentët:

- Një tekst ose i ekuivalentuar me të nga një autor i huaj, i njohur, që konsiderohet referencë në fushën që mbulon lënda.

- Një tekst ose i ekuivalentuar me të i hartuar nga profesori që kryen leksionet magjistrale në lëndën përkatëse.

- Grup titujsh tekstesh, monografish, artikujsh, përmbledhje studimesh ose botim kërkimi shkencor, apo tekst punimi doktoral (jo më pak se dhjetë tituj për lëndë) ku disa janë të detyrueshëm për t’u studiuar, të tjerët fakultativë.

- Tekstet ose monografitë, artikujt e përmendur që janë në formë numerike, duhet të jenë të aksesueshme lirisht nga studentët në hapësirën dixhitale të Fakultetit si dhe duhet të jenë të aksesueshme në një sasi të caktuar kopjesh në bibliotekën e Fakultetit.

1.2.2. Përmbledhje sintetike leksionesh që kryhen në auditor, në formë broshurash ose tekstesh numerike që janë të aksesueshme lirisht nga studentët në hapësirën dixhitale të Fakultetit.

1.2.3. Çdo cikël leksionesh profesorale duhet të bazohet në paraqitje në poëer-point, video si edhe në konsultime të hapësirave në ëeb.

1.2.4. Duhet hartuar brenda vitit 2018, sillabusi standard i studimeve sipas dy formateve, për programet mësimore në profilet mbi shoqërinë dhe për profilet mbi shkencat ekzakte. Sillabusi është i domosdoshëm për t’u bërë i njohur për studentët qysh në fillim të çdo lënde.

1.2.5. Duhet të ndërtohet udhërrëfyesi i studimeve për çdo program studimesh.

1.3. Diversifikimi i strategjive të mësimdhënies nëpërmjet ripërcaktimit të orientimit strategjik të lëndëve dhe programeve të studimeve.

1.3.1. Veç lëndëve që janë të orientuara në mbulimin e fushave tërësore disiplinare, sipas parimit klasik një lëndë = një disiplinë, çka mund të jetë e vlefshme kryesisht për vitin e parë të studimeve në nivelin bachelor, të nxiten praktika që e ripërcaktojnë identitetin e lëndëve sipas kritereve të mëposhtme:

a. Sipas objektit të studimit: Ta zemë, në shkencat politike: Statusi social dhe administrativ i deputetit në periudhën e tranzicionit demokratik!

b. Sipas një çështjeje ose problemi themelor: Ta zemë, në ekonominë e medias: Përqendrimi dhe monopoli në mediat audiovizive shqiptare.

c. Sipas metodologjisë krahasuese: Ta zemë, në filozofi: Koncepti i shkakësisë te Dekart dhe Spinoza: ngjashmëri dhe dallime!

d. Sipas trajtimit të një rasti studimor (monografik): Ta zemë, gjeografia ekonomike : Bregdeti i Shqipërisë dhe komercializimi i burimeve natyrore të tij!

e. Sipas strategjisë të përgatitjes profesionale dhe transmetimit të kompetencave përkatëse: Ta zemë, në sociologji: Metodat statistikore Big Data në analizën sociologjike të dinamikave të opinionit publik!

Lëndët e ndërtuara mbi bazën e parimi një lëndë mësimore = një displinë shkencore, të cilat, në fakt, shpesh pretendojnë objektiva që nuk i realizojnë dot, si edhe qendrojnë të hapura si bashkësi logjike, çka i ngjan më shumë përqasjeve ideologjike sesa metodologjisë së shkencave, mund të jenë më të pranueshme në vitin e parë bachelor, por duhet të vijnë në ulje në vazhdim.

Në nivelin master mund të parashikohet që të mos ketë më lëndë të ndërtuara sipas parimit një lëndë mësimore = një disiplinë shkencore.

Ndërkaq, propozohet që të jetë rregull i prerë që programet e studimeve në nivelin e studimeve master – profesional, si edhe titullimi i këtyre masterave të përjashtojë identifikimin e tyre si të orientuar thjesht në displina shkencore.

1.3.2. Në mënyrë të detyrueshme dhe prioritare, në planet mësimore të nivelit bachelor dhe master vendosen praktikat profesionale si edhe stazhet profesionale siodmos në masterat profesionalë, duke i trajtuar me statusin e ngarkesës mësimore që matet me kredite.

Në masterat profesionalë që organizojnë studime mbi profesione të rregulluara me ligj, duket të harmonizohet marrëdhënia mes dijeve të marra gjatë programit të studimeve profesionale dhe dijeve për të cilat kandidatët testohen në provimin e licensës.

2. Riorganizimi i strukturave universitare dhe i njësive bazë duke i bërë ato më të zhdërvjellta dhe më të mbrojtura nga trafiqet e interesave dhe elektoralizmi që dëmton vlerat universitare.

2.1. Në nivel Fakulteti.

2.1.1. Pranë çdo dekanati krijohet « Këshilli konsultativ», i cili përbëhet nga të gjithë punonjësit me titullin « Profesor » dhe që zgjedh në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetarin e tij. Platforma e objektivave dhe e funksionimit të këtyre komisioneve përgatitet në nivel universiteti. Moralisht, dekani çdo vit paraqet atje strategjinë njëvjetore të tij dhe e voton atë me procedurat e votimit të fshehtë. Të njejtën gjë bëjnë edhe senatorët duke paraqitur atje platformën e tyre individuale ose kolektive për në senatin e Universitetit.

2.1.2. Të parashikohet detyrimi që çdo kandidat për postin e dekanit të kalojë për paraqitje platformën e tij elektorale te komisioni konsultativ i profesorëve , pa patur detyrimin ta votojë atë atje.

2.1.3. Të shihet mundësia që departamente të gjuhëve të huaja, të shkencave sociale, ose edhe filologjike apo historike që kanë programe studimesh të paorientuara mirëfilltazi në profesione tregu, por në formime teorike dhe të mësuesisë, të ristrukturojnë veprimtarinë e tyre duke propozuar shërbimet e tyre jo vetëm te studentë që diplomohen në këto profile studimesh, por edhe si lëndë formuese në fakultete dhe departamente të tjera. Për këtë të ndërtohen laboratore multimediale të përparuara gjuhësh të huaja që të mundësojnë një përvetësim të specializuar dhe me nivel të lartë, dhe interaktiv të gjuhëve të huaja.

2.2. Në nivel senati.

2.2.1. Senati i Universitetit të Tiranës të kërkojë paraqitjen me platforma të anëtarëve të bordit administrativ në procedurat e zgjedhjes së tyre, si edhe të kërkojë angazhimin e tyre për të zbatuar politikat e senatit dhe të asamblesë të universitarëve në Bordin administrativ duke e verifikuar këtë në mënyrë periodike.

2.2.2. Detyrat dhe angazhimet e senatorëve të integrohen edhe brenda ristrukturimit të senatit sipas disa seksioneve që mbulojnë veprimtarinë universitare në tërësinë e saj. Mbi këtë bazë ia vlen të iket nga mentaliteti që senatorët janë nën dejtimin administrativ të dekanit, apo që duhet të funksionojnë thjesht si grup mbi bazë fakulteti, ose që kanë kompetenca vetëm brenda fakultetit që i ka zgjedhur ata.

2.2.3. Senati i Universitetit të Tiranës të praktikojë marrjen në shqyrtim të veprimtarisë mësimore dhe shkencore të dekanateve ose edhe të departamenteve të caktuar, sipas gjykimeve të tij, nevojave, problematikave, mbi bazën e një raporti përkatës duke u lënë detyra njësive në raport.

2.2.4. Senati i Universitetit merr në shqyrtim në çdo fillim viti akademik një të katërtën e planeve mësimore që janë aktivë në kuadrin e tij.

2.3. Në nivel departamenti

2.3.1. Brenda çdo departamenti të shihet mundësia të funksionojë detyra e përgjegjësit të profilit në programet e studimeve.

2.3.2. Brenda çdo njësie bazë të shihet mundësia të ngrihet dhe të funksionojë një laborator mësimi gjuhësh të huaja!

2.3.3. Brenda vitit 2020, në çdo Fakultet të eksperimentohet krijimi i së paku një departamenti me natyrë ndërdisiplinore me hapje ndërfakultetore dhe e një instituti kërkimesh shkencore ose laboratori produktesh të komercializueshme.

2.4. Hapja e çdo profili studimesh të bëhet vetëm pas aprovimit të strategjisë që paraqitet nga propozuesi për nevojat e tregut dhe të shoqërisë për specialistë të diplomuar në këto profile.

2.5. Brenda vitit 2019 të rishihen të gjitha sillabuset e lëndëve dhe planet mësimore me qëllim lehtësimin e tyre, zhveshjen e tyre nga lëndët e përgjithshme, nga lëndët që konsiderohen si të njohura në shkollën e mesme, etj, duke arritur një ngarkesë në kufijt minimalë të mundshëm të ngarkesës mësimore në auditore dhe shtimin e arsyeshëm të punës të pavarur të studentëve.

2.6. Në nivel rektorati.

2.6.1. Të shihet mundësia e krijimit të departamentit të aktiviteteve social-kulturore ose të ky departament të funksionojë si bërthamë brenda departamentit të marrëdhënieve publike.

2.6.2. Të shihet mundësia e një reviste të përjavshme në letër dhe online me informacion masiv mbi jetën universitare dhe rrezatimin e saj në shoqëri. Kjo redaksi të funksionojë brenda departamentit të marrëdhënieve publike.

3. Riorganizimi i botimeve dhe i aksesit në literaturën shkencore

3.1. Të shihet mundësia e përqendrimit të revistave në nivel universiteti dhe jo fakulteti, ose veç atyre të fakulteteve, duke konceptuar dy ose tre tituj revistash shkencore me per riveë, open sources dhe online, etj, që të bëhen referenca të mendimit shkencor kombëtar.

3.2. Të shihet mundësia për të arritur që të financohen nga buxhetet e universitetit 5 deri në 10 tituj në vit, tekste lëndësh fondamentale ose prioritare. Procedura të bëhet bazuar në thirrje publike për konkurs për botim teksti universitar.

3.3. Të organizohet një ose dy konferenca shkencore në shkallë universiteti në vit, me përfaqësim dhe organizim ndërkombëtar sipas tematikave të përzgjedhura nga propozimet e fakulteteve dhe departamenteve.

3.4. Të krijohen mundësitë që studentët e çdo profili studimesh të kenë akses në një bibliotekë universitare të huaj, fond librash me autorë të huaj në formë numerike dhe që pranë çdo Fakulteti të krijohet fondi i librave dixhitalë në gjuhë të huaj.

3.5. Të rikrijohet brenda Universitetit shtëpia botuese e librit universitar.

3.6. Të botohen në letër ose në formë numerike udhërrëfyesit e studimeve në shkallë fakultetesh dhe një në shkallë universiteti. Ata të riaktualizohen çdo vit.

4. Të investohet për përmirësimin e infrastrukturave materiale në funksion të rritjes të nivelit të procesit mësimor.

4.1. Brenda vitit 2019, të arrihet që sëpaku të gjitha sallat e leksioneve të të gjitha fakulteteve të pajisen me infrastrukturën e transmetimit të informacionit numerik ardhur nga interneti si edhe të kenë të instaluar podiumet përkatës për kompjuter të lidhur në internet si edhe me projektor për ekran muri.

4.2. Të përmirësohet cilësia dhe sasia e debitit si edhe shpejtësia e internetit në të gjitha godinat- e Universitetit.

4.3. Lidhja nëpërmjet ËI-FI të jetë funksionale në të gjitha mjediset universitare dhe të kenë akses në të edhe studentët sipas kodeve sekrete dhe passëords personale.

4.4. Të arrihet që në çdo fakultet të ketë të paktën një sallë amfiteatri sipas standardeve moderne që të funksionojë me kapacitet të plotë së paku për 12 orë në ditë.

4.5. Të arrihet që brenda vitit 2020, çdo fakultet të ketë një sallë studimi me kompiutera të lidhur në internet, së paku me nga tridhjetë të tillë, që të funksionojnë për të konsultuar bibliografinë nga ana e studerntëve. Koha e aksesit për çdo student në 24 orë të jetë e kufizuar.

4.6. Të krijohen mundësitë që brenda vitit 2020 të gjitha punimet e diplomës dhe të mikrotezave të konservohen vetëm në formë numerike dhe të paraqiten duke u mbrojtur sipas formës dixhitale dhe me prezantim në poëer point.

4.7. Brenda vitit 2020, të arrihet që çdo pedagog të ketë postin e vet kompjuterik në lokalet universitare.

4.8. Të shihet mundësia që në bashkëpunim me sipërmarrje private në çdo fakultet, ose midis fakulteteve që janë në distanca të afërta larg njëri-tjetrit të ketë një sallë mence – retstoranti – kafeneje me çmime të arsyeshme për studentët e universitetit të Tiranës.

4.9. Të krijohet hapësira numerike virtuale për çdo student në portalin ëeb të Universitetit të Tiranës duke krijuar shërbimin e menaxhimit dixhital të marrëdhënieve midis pedagogëve dhe studentëve, midis administratës, sekretarive mësimore dhe studentëve, midis vetë studentëve, etj. Në këtë hapësirë virtuale, çdo studenti do t’i vijnë njoftimet administrative, sillabuset, leksionet e përmbledhura për çdo lëndë etj. Për këtë qëllim krijohet rrjeti i menaxherëve dixhitalë të UT-së.

4.10. Të krijohet mundësia e aksesit të paktën 12 orësh në biblitekat universitare ose të fakulteteve.

5. Të drejtat studentore të riformuluara

5.1. Studenti ka të drejtë të marrë pjesë aktive në formulimin e profilit të tij të studimeve. Kjo realizohet sipas këtyre drejtimeve :

a. I propozohet një listë lëndësh për çdo vit nga të cilat ai zgjedh ato lëndë që i duhen sipas nevojës për të plotësuar numrin e krediteve që i duhen për çdo vit. Lëndët e detyrueshme për t’u ndjekur të mos jenë më shumë se 50% në çdo vit akdemik.

b. I propozohet një diplomë minor me një grup lëndësh të mundshme dhe me zgjedhje që studenti i përcakton vetë në bashkëpunim me koordinatorin e profilit.

5.2. Brenda vitit 2020 të arrihet që çdo student të mund të zgjedhë profesorin e një lënde, nëse kjo lëndë zhvillohet në dy ose më shumë fakultete, sipas parapëlqimeve të tij. Ai regjistrohet në këtë rast te pedagogu jo në sekretarinë mësimore të fakultetit bazë.

5.3. Lëndët që « strehohen » në një Fakultet, kryhen si rregull atje edhe për studentët e fakulteteve të tjera që u duhet ta kryejnë atë lëndë.

5.4. Së paku 20 % e lëndëve të një cikli studimesh, sipas krediteve, studenti ka të drejtë t’i zgjedhë jashtë lëndëve që mbulon departamenti ku është asociuar në bazën e vet cikli dhe profili i studimeve të përzgjedhur prej tij. Këto lëndë studenti i zgjedh duke u regjistruar në lëndë që mbulohen nga departamente të tjera brenda fakultetit ose në fakultete të tjera!

5.5. Lëndët që nuk arrijnë të sigurojnë numrin minimal të studentëve iu nënshtrohen procedurave të mëposhtme :

a. Analizë e thelluar nga departamenti ose dekanati.

b. Heqja e ngarkesës mësimore për pedagogun për orët e asaj lënde.

c. Nëse lënda ka të njetin fat në dy vite rresht, ajo i kalon një pedagogu tjetër, me miratim të departamentit që ribën sillabusin e saj.

d. Nëse për tre vjet radhazi lënda nuk tërheq audiencat që duhen, ajo hiqet së paku për dy vjet nga plani mësimor.

5.6. Studentët kanë të drejtë të shprehin opinionet e tyre për cilësinë e lëndëve që kryejnë sipas sondazheve të organizuara çdo vit nga ana e fakulteteve. Rezultatet e sondazheve bëhen publike çdo vit.

5.7. Universiteti i Tiranës, brenda vitit 2019 përpunon kritere favorizuese për studentët që në nivel master zgjedhin profile të kryqëzuar me profilin e diplomimit të tyre në bachelor. Nxitet mobiliteti i studentëve nga një fakultet te tjetri.

5.8. Brenda vitit 2020, Universiteti i Tiranës sheh mundësinë për të propozuar profile studimesh ndërdisiplinare, sidomos në nivel master, si profile studimesh ndërfakultetore, qoftë edhe brenda emërtimeve të diplomimeve të njohura tashmë zyrtarisht.

5.9. Në periudhën kur kandidatët për studentë plotësojnë aplikimet për të studiuar në degët përkatëse, ose në çdo fillim muaji shtator, Universiteti i Tiranës praktikon tre ditë të dyerve të hapura për të gjithë maturantët që duan të njihen me të.

5.10. Të gjithë departamentet, në javën e parë të mësimit të çdo viti akademik realizojnë auditin e njohurive të studentëve të regjistruar në vitin e parë të çdo profili studimesh.

5.11. Studentët e një kursi kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të cilët kanë kompetenca dhe detyra të përcaktuara në rregullore dhe mund të marrin pjesë në çdo mbledhje departamenti.

5.12. Universiteti i Tiranës promovon të mësuarit përgjatë gjithë jetës duke ndërtuar këto forma realizimi të këtij objektivi strategjik :

a. Propozim stazhesh dhe modulesh profesionale për rikualifikim;

b. Propozim rikualifikimesh dhe riformimesh teorike pavarësisht moshës ose statusit profesional ;

c. Propozim ciklesh konferencash divulgimi dijesh

6. Reformim i menaxhimit financiar

6.1. Universiteti i Tiranës të studjojë mundësinë e matjes, vlerësimit dhe kuotimit financiar të aseteve të tij.

6.2. Universiteti i Tiranës të studjojë mundësinë e pjesëmarrjes me investime të sipërmarrjes private në fondin e tij financiar.

6.3. Universiteti i Tiranës të studjojë mundësinë e praktikimit të një shkalle të caktuar marrjeje borxhi financiar afatgjatë ose afatshkurtër me objektiva të qarta në shërbim të rritjes së cilësisë së ofertës së tij.

6.4. Universiteti i Tiranës të studjojë investimin e limituar ardhur nga kontribute të pedagogëve ose punonjësve të tij.

6.5. Universiteti i Tiranës të studjojë mundësinë të praktikojë forma shërbimesh të palimituara për të tretët kundrejt procedurave dhe transaksioneve të qirasë.

6.6. Universiteti i Tiranës dëshiron të studjojë mundësinë e investimit në aktivitete fitimprurëse për të mbështetur financimin e reformave cilësore të veprimtarisë së tij kryesore.