Transmetuar më 21-02-2018, 20:29

Nga Artan Fuga

Cështja konkrete u mbyll, problemi urban i përgjithshëm mbetet për t'u administruar !

Të nderuar miq, kam detyrimin e madh t'ju njoftoj se çështja që kam ngritur me forcë këto tri ditë radhazi për parkingjet e pallatit ku jetoj më në fund u zgjidh.

Desha t'ju falenderoj shumë për reagimet tuaja dhe mbështetjen tuaj aq të fortë dhe masive çka ndikoi në rezultatin e arritur.

Kuptoj shumë thellë që ndjeshmëria juaj është shprehje besimi, por së pari për një çështje më të gjerë që prek një problematikë sociale dhe urbane me interes publik.

Duhet thënë se unë i besoj idesë që qytetari në rrafshin lokal duhet të luftojë për interesat e tij të përditshme dhe për të ruajtur të drejtat e tij. Nuk ka nevojë për ideologjizime.

Të gjithë në këmbë për të drejtat tona.

Kam detyrimin gjithashtu që të pohoj se kryetari i Bashkisë z.Erion Veliaj u interesua drejtpërdrejt dhe sugjeroi që çështjen ta zgjidhnim me konsensus.

Konsensusi u arrit. Edhe dalja nga garazhi nëntokësor u realizua edhe vendet e parkingut ajror u ruajtën.

Punonjësit e Bashkisë vunë menjëherë në zbatim konsensusin e banorëve.

Më vjen keq për ndonjë media që megjithëse deshi të nxiste konfliktin urban midis banorëve, nuk pati mundësinë t'a arrinte. Nuk se ka ndonjë qëllim apo fuqi për këtë, por thjesht për shkak të vijës editoriale që ka zgjedhur. Punë saj, as më duhet fare.

Unë u nisa thjesht nga ruajtja e të drejtave të mia. Por nga përvoja ime në këto ditë u sugjeroj këshilltarëve, banorëve të Tiranës, kryetarit të Bashkisë të aprovojnë një vendim me këto pika:

1. Në banesat që ndodhën brenda lagjeve, anash tyre parkingjet të jenë pa pagesë.

2. Këto hapësira të jenë të rezervuara vetëm për rezidentët, pra banorët e atyre banesave.

3. Banorët të pajisen me kartën "rezident" që vendoset dukshëm në autovetura;

4. Rregullimi i këtyre hapësirave bëhet me vizime dhe merr konsensusin e banorëve.

5. Të gjitha autoveturat që nuk janë të rezidentëve në rast parkimi gjobiten, etj.

Unë mendoj se ky është modeli i rregullimit global të kësaj çështjeje sipas një kombinimi midis banorëve, drejtuesve të automjeteve dhe Bashkisë.

Ju faleminderit edhe njëherë.

Miqësisht,

Artan Fuga.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al