Transmetuar më 19-02-2018, 17:18

Nuk ka kaluar pa reagime deklarata e Kryeministrit Edi Rama që Shqipëria dhe Kosova të kenë një politikë të përbashkët të jashtme, dhe një president mbarëkombëtar.

Madje reagimet kanë shkuar deri aty sa, në Serbi, po kërkohet shpallja “non grata” për Kryeministrin e Shqipërisë.

Një gjë të tillë e ka deklaruar kryetari i Partisë Kombëtare Serbe, Nenad Popoviç.

Ai ka pohuar se deklarata të tilla të Ramës janë drejtuar kundër paqes në rajon, dhe përfaqëson një akt armiqësie ndaj Serbisë dhe popullit serb.

Për këtë, ai thotë se Rama duhet të shpallet “persona non grata”, apo person i padëshirueshëm në Serbi.

“Deklarata e Kryeministrit shqiptar Edi Rama, se Shqipëria dhe shteti i rremë i Kosovës do të kenë një politikë të jashtme të përbashkët dhe president, është e drejtuar kundër paqes në rajon dhe përfaqëson një akt armiqësor ndaj Serbisë”, thotë Popoviç.

Ai shton se kjo është një tendencë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, prandaj Rama duhet të shpallet i padëshirueshëm. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd