Transmetuar më 19-02-2018, 10:18

Paraditen e sotme zhvillohet në Tiranë, forumi i biznesit Shqipëri-Itali, ku janë të pranishëm 200 delegatë dhe rreth 350 sipërmarrje italiane.

Në fjalën e rastit, ministri i Financave Arben Ahmetaj, deklaroi se në 20 vite Shqipëria nuk është më ajo e frikës, por është Shqipëria e mundësive për sipërmarrjen italiane.

Ai shtoi se prezenca dhe kontributi i Italisë mbeten primare dhe se Shqipëria është vendi me hapin më të madh kulturor drejt Italisë.

“Shqipëria për Italinë është porta hyrëse në Ballkan, rajon. Ndonëse një ekonomi e vogël, Shqipëria përfaqëson një treg interesant për investimet e huaja”, u shpreh Ahmetaj.

Nga ana e tij, ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo deklaroi se reforma në drejtësi do të tërheqë më shumë investues.

“Reforma presim që të tërheq më shumë investues. Shqipëria mund të bëhet porta hyrëse për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria meriton hapjen e negociatave, dhe nëse ndodh Shqipëria do të ketë përpara një sfidë të re për modernizimin e sistemit ekonomik. Ndërmarrjet italiane do të mbështesin ato shqiptare në tregjet evropiane. Shqipëria do të arrijë që të fitojë falë bashkëpunimit me Italinë në të gjithë nivelet”, tha ambasadori.

Sipas tij, Shqipëria do të ketë përpara një sfidë të re, modernizimin e sistemit ekonomik për ta përshtatur atë me legjislacionin europian dhe për ta vënë në kushte për të nxjerrë përfitime nga ky integrim. /a.y/noa.al