Transmetuar më 16-02-2018, 09:38

Katër persona, të akuzuar se shpërndanin kokainë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, janë vënë në prangat e policisë.

Mbrëmjen e kësaj të enjteje, u kurorëzua operacioni policor i koduar “Decline”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë Azis Meta, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për “Trafik armësh dhe lëndë narkotike”, Përparim Kalbaj, 46 vjeç, banues në Tiranë, Aleks Kanaçi, 35 vjeç, banues në Berat dhe 23-vjeçarja E.B., banuese në Tiranë.

Nga hetimet e policisë dhe informacionet e siguruara nga uniformat blu, rezultoi se në rrugën “Nikolla Jorga”, katër të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin kokainë në sasi të vogla personave të ndryshëm në zonën e ish-Bllokut.

Të dyshuarit lëviznin me dy automjete dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 276.6 gramë kokainë.

Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjete dhe 7 telefona celularë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”. /a.y/noa.al