
Në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes ambasadorit amerikan në Kosovë ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Në letrën e tij Trump shprehet se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e demokracisë gjatë këtyre viteve, ndërsa ka shprehur edhe ndihmën e SHBA-ve që ky shtet të ndërtojë themele të forta.
“Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj Kosovën në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së saj. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë shumetnike. Ndërkohë që duhet bërë edhe më shumë punë, ne përgëzojmë përparimin tuaj.
Ndërsa vendi juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve”, u shpreh Trump.
Në fund të letrës së tij Trump deklaron se “SHBA e shikojnë Kosovën si një partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në këtë rast historik i uroj gjithë të mirat qytetarëve të Kosovës”. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





