Transmetuar më 12-02-2018, 14:42

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nxjerr zbuluar Kryeministrin Edi Rama, për debatin që ka përfshirë vendin ditëve të fundit, lidhur me Teatrin Kombëtar dhe aktorët e rebeluar.

Prej disa ditësh aktorë dhe regjisorë i janë kthyer kundër ministres Kumbaro, pas idesë se Teatri Kombëtar do zhvendoset te salla “Turbina” dhe së në truallin e tij mund të ndërtohet një teatër i ri.

Jo vetëm kaq por artistët janë rebeluar edhe lidhur me një projektligj të Ministrisë së Kulturës që ka të bëjë me artin, pasi shprehen se centralizon vendimet në dorë të qeverisë.

I ashpër ishte reagimi i pak ditëve më parë i aktorit Robert Ndrenika, i cili deklaroi se shumë vite më parë, edhe Partia e Punës thoshte që do bënte një teatër, i cili nuk u bë.

Ai tha edhe në këto 27 vjet, është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka pasur pikë transparence, duke nënvizuar se teatri bëhet një herë në 500 vjet.

“Atë “Turbinën” e pashë me miq, ajo është qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, në fund, prandaj ajo fjala që i thashë ministreshës, që do shtrihem para teatrit dhe që më ironizoi duke më thënë të vijë të shtrihet, të interpretojë tek “Turbina”, paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër, pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të”, tha aktori.

Por nëpërmjet një letre të hapur, ministrja Kumbaro i është përgjigjur këtë të diel aktorit Ndrenika, ku thotë se Teatri Kombëtar u la pa investim, pa rehabilitim për dekada, derisa degradimi i tij mbërriti në kufijtë e skajshëm saqë është i parikuperueshëm.

Duke iu drejtuar artistëve, Kumbaro shprehet se mendon njëlloj si ata dhe se të gjithë bashkë, kanë nevojë më shumë se kurrë për një skenë të re, për kushte të reja dhe të shëndetshme për aktorët.

Por në një moment ajo përmend fjalën bingo, duke kujtuar kohën kur ambientet e Teatrit u dhanë me qira për bingo.

Më konkretisht Kumbaro thotë se “Unë mendoj, gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert”.

Ama ministrja e Kulturës “ia fut” si padashur Kryeministrit Edi Rama, pasi para se të bënte një deklaratë të tillë duket se harroi të verifikonte periudhën se kur është dhënë për bingo ambienti i teatrit.

Noa.al ka siguruar një faksimile të kontratës e cila i përkon vitit 1999, periudhë kur Ministria e Kulturës drejtohej nga Edi Rama.

Në dokumentin që gjeni bashkëngjitur, ku shihni të nënvizuar emrin e Edi Ramës, citohet se “Qiradhënësi i jep me qira qiramarrësit ambientet për të hapur një klub bingo”.

E se si do të vejë “telenovela” Kumbaro-aktorë pritet të shihet, pasi ministrja me argumentet e saj këmbëngul fortë, duke harruar ama se e lëshon fjalën pa u menduar gjatë. /a.y/noa.al

Ministrja Kumbaro i përgjigjet aktorit Ndrenika: I dashur Robert…

Dy aktorët e njohur kandidojnë për drejtor të Teatrit Kombëtar

Artistët paralajmërojnë grevë për Teatrin, Ndrenika: Kumbaro ministreshë. Reagon ministrja