Transmetuar më 11-02-2018, 17:36

Prokuroria për Krimet e Rënda vijon betejën ligjore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Report Tv mëson se prokuroria i ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të Apelit që i riktheu pasaportën Saimir Tahirit.

Prokuroria kërkon nga Gjykata e Lartë që të vendosë sërish masën shtrënguese për bllokimin e pasaportës për Tahirin.

Organi i akuzës e ka depozituar kërkesën për rekurs në datë 7 shkurt, ndërsa ende nuk është caktuar se kur do të zhvillohet seanca e parë.

Kujtojmë që Apeli ia riktheu pasaportën ish-ministrit në datë 26 dhjetor të vitit të kaluar duke i hequr masën e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit.

Saimir Tahiri po hetohet nga Krimet e Rënda, pasi akuzohet se ka favorizuar anëtarët e dyshuar të grupit Habilaj në trafikun e kanabisit.