Transmetuar më 11-02-2018, 13:54

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi se Gjykata Ndërkombëtare ka dënuar Shqipërinë me 70 milionë euro.

Vasili i adresoi të gjitha fajet kryeministrit Edi Rama, ndërsa theksoi se shkak është bërë prishja e njëanshme e kontratave. Ai shtoi se me 70 milionë eurot vetëm sa ka filluar të konsumohet kjo tragjedi për shqiptarët.

“Pata paralajmëruar disa herë se rrezikohet të humbasë deri në 2 miliard euro Shqipëria në gjyqet ndërkombëtare. Si ministër i drejtësisë në atë kohë, kryeministrin e kam informuar me shkrim për emergjencën e jashtëzakonshme financiare, që kërcënonte financat e Shqipërisë. Për fajin e kryeministrit brenda tre javësh Shqipëria u dënua me më shumë se 70 milionë euro nga gjykatat ndërkombëtare”, shkruan Vasili.

Më tej ai përsërit duske theksuar se kjo është emergjencë financiare e frikshme dhe sipas tij mbi kryeministrin rendon përgjegjësia kriminale edhe veprimeve shkatërrimtare financiare të tij me prishjen e njëanshme të kontratave, por edhe mosveprimeve të tij, pasi edhe pse u informua me shkrim për situatën, nuk lëvizi as gishtin dhe nuk bëri asgjë.

“Me 70 milion eurot vetëm sa ka filluar të konsumohet kjo tragjedi për shqiptarët. 70 milionë euro të humbura janë shumë më shumë se paratë, që shpenzohen për ilaçe nga të gjithë spitalet e vendit,70 milionë janë të mjaftueshme për të ndërtuar 2 spitale të reja moderne, 70 milionë mjaftojnë për qindra qendra shëndetësore moderne”, shton Vasili.

Në fund deputeti i LSI-së ka shpërndarë për mediat edhe informacionin me shkrim që i është dërguar kryeministrit nga Vasili./b.l/noa.al/