Transmetuar më 10-02-2018, 14:21

Kryeministri Edi Rama u ndal ditën e sotme në një drekë me fermerë të Kukësit, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi dhe nga kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu.

Gjatë drekës u prezantuan nismat e reja të qeverisë në lidhje me skemat mbështetëse në bujqësi dhe blegtori.

Ministri tha se do të mbështeten me subvencione thertoret e ndërtuara në përputhje me standardet europiane dhe gjithashtu do të jepen edhe 100 lekë subvencion për një litër qumësht të prodhuar të cilësisë së parë.

Ndërkohë fokus të veçantë nga qeveria ka edhe agorturizmi, i cili në këtë zonë përfaqësohet nga katër fshatra pjesë të programit “100 fshatrat”.

“Në gjithë qarkun e Kukësit kemi katër fshatra, Shishtaveci, Shtiqni, Valbona dhe Cahani, pra katër fshatra, pjesë e skemës së “100 fshatrave” ku ne mbështesim me prioritet strukturat e agroturizmit. Kemi bërë një standard, ku nëse ndërtohet një strukturë akomoduese me të paktën 6 dhoma dhe e shoqëruar me një fermë, merr statusin e agorturizmit dhe pastaj mbështetja nga AZHBR është e konsiderueshme”, u shpreh ministri Peleshi.

Ndër të tjera, ministri i kujtoi fermerëve që nëse bashkohen dhe unifikohen në prodhim mund të përfitojnë shumë më tepër.

Kryeministri Rama nga ana e tij, nënvizoi nevojën për bashkim të fermerëve pasi sipas tij, nëse secili rri në ngastrën e tij, të gjithë humbasin dhe mundësitë e shtetit për të mbështetur nuk maksimizohen, por minimizohen.

Gjithashtu ai deklaroi, se nuk do mbështetet financiarisht çdo kulturë e mundshme, por vetëm ato të cilit janë të studiuara si kultura me potencial të madh eksporti.

Kryeministri nuk la pa përmendur edhe thertoret, ku ftoi bashkitë që të bëhen bashkëaksionere në ndërtimin e tyre në përputhje me standardet më të larta.

“Është shumë e rëndësishme pjesa që ka të bëjë me thertoret dhe këtu bashkitë kanë rolin e tyre, sepse nuk duhet të presim që të bashkohen patjetër disa fermerë, por bashkia mund të jetë aksionere në këtë pjesë”, tha Kryeministri.

Të njëjtën gjë konfirmoi dhe kryetari i bashkisë së Kukësit i cili gjithashtu vlerësoi këtë qark si një qark me kapacitete të mëdha.

Ai gjithashtu përgëzoi edhe nismën e qeverisë për reformën e ujit duke u shprehur se edhe ujitja në fshat duhet të ketë sahat dhe për këtë ka gati një projekt, të ngjashëm me fshatra në Kosovë dhe në Turqi të cilët aplikojnë të njëjtin metodë për ujitjen e tokave bujqësore.

Gjatë bashkëbisedimit, e Kryeministri u fokusua tek investimet në agorturizëm dhe nevojën për ta parë si një fushë me perspektivë të mirë për të gjithë ata që jetojnë në fshat.

Këtë ai e ilustroi me një shembull nga Italia: “Po të shikojmë zhvillimet në fshat të vendeve që janë përpara nesh, po të kthemi në kohë, jo të shkojmë në një kohë shumë të largët, por në vitin ’91 në Itali. Italia kishte 1/3 e këtyre që ka dhe kishte probleme të një niveli tjetër, por përsëri kishte probleme. Ajo që ndodhi është që i dhanë një mbështetje të madhe dhe agroturizmi sot është një burim i madh të ardhurash në fshat. Nëse ti ke një situatë gjeografike të vështirë, ke mundësi të kufizuara për të zhvilluar bujqësinë apo blegtorinë, por ke në atë situatë një përrallë natyrë e ndërton aty një bujtinë, me disa dhoma fjetjeje, një fermë të vogël, një restorant gjysmë familjar, ti ke mundësi të kesh gjithë vitin punë. Pra e kthen pozicionin tënd në një pozicion strategjik si një strukturë mikpritjeje”.​ /a.y/noa.al