Transmetuar më 10-02-2018, 11:57

I dyshuari si vrasës me pagesë ndaj Devi Kasmit, 41-vjeçari grek Efthymiou Efthymious, kërkon lirinë në gjykatën e Apelit.

Avokati i tij Saimir Visha, ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg”, duke mos pranuar akuzën e vrasjes.

Sipas avokatit, prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë për klientin e tij.

“Provat e depozituara nuk vërtetojnë se greku ka lidhje me vrasjen”, tha Visha pas paraqitjes së kërkesës në Apel.

Për ekzekutimin e 42-vjeçarit Devi (Dëfrim) Kasmi, janë arrestuar edhe persona të tjerë krahas Efthymiou Efthymious.

Të arrestuarit janë Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

I shpalluri në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Ndërsa Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd