
Lëvizja Socialiste për Integrim, reagon nëpërmjet deputetes Floida Kërpaçi, lidhur me vendimin e fundit të qeverisë, për t’iu dhënë pagesë ditore për ushqim 5 mijë lekë të vjetra.
Kërpaçi thotë se, vendimi më i fundit i Kryeministrit për t’u dhënë punonjësve të administratës një pagesë ditore prej 500 leke të reja ose 5 mijë lekë të vjetra si kompensim në natyrë, apo ushqimor në vendin e punës është një akt denigrues, akt arrogance dhe fyes për 80 mijë familje me ndihmë ekonomike.
Ajo deklaroi se familjet në ndihmë ekonomike, fatkeqësisht marrin vetëm 1 mijë lekë të vjetra në ditë për të mbajtur frymën gjallë për veten dhe për fëmijët e tyre.
Sipas saj, Kryeministri nuk ka fonde për të paguar qindra naftëtarë, nuk ka fonde për të dhënë librat shkollorë falas për fëmijët nga klasa e parë në klasën e 9-të dhe se nuk u dha minatorëve statusin e tyre duke e ditur që ata hyjnë në mëngjes në galeritë e nëntokës pa e ditur nëse do të dalin gjallë në fund të ditës.
“Këtij Kryeministri nuk i dhimbsen fëmijët e Bulqizës që lënë shkollën dhe mbledhin gurët e kromit për të fituar bukën e gojës. Ky Kryeministër nuk ka para për të luftuar varfërinë, por ka para për të shpenzuar për fasada, për makinë luksi, madje edhe për të bërë show përmes krijimit të Televizionit të tij privat”, shprehet Kërpaçi.
Ajo shton se “alternativa e tepsisë” së Edi Ramës është votë kundër teksteve falas, votë kundër minatorëve, kundër naftëtarëve.
“Ai ka tepsinë e ushqimit vetëm për njerëzit e tij. Atij nuk ja ndjen për varfërinë që ka pllakosur vendin. Këto janë“super reformat” e Edi Ramës, zv.Presidentit të Internacionales të së Majtës. Reforma për bukë falas për njerëzit e tij, dhe jo për njerëzit e thjeshtë. Turp të ketë!”, mbyll qëndrimin e saj Floida Kërpaçi. /a.y/noa.al
Ndryshim në Kodin e Punës, Qeveria merr vendim për shpërblimin e punonjësve
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





