
Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në Gjirokastër, ku një i arrestuar ka mundur të arratiset nga ambientet e Gjykatës, janë marrë masa ndaj punonjësve të policisë të cilët e shoqëronin. Saimir Ahmeti po paraqitej para gjykatës për t’u njohur me “masën e sigurisë” por duke përfituar nga situata është arratisur nga tualeti i Gjykatës.
Pas verifikimeve të kryera, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë bëri arrestimin në flagrancë shtetasve, Njazi Kaçupaj,52 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Sarandë dhe Fatjon Idrizi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë me detyrë punonjës të policisë në IEVP Sarandë.
Arrestimi i tyre është bërë pasi ditën e djeshme, gjatë shoqërimit të të paraburgosurit Saimir Ahmeti, i arrestuar për veprën penalë “Përndjekje”, në ambientet e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, nuk kanë zbatuar procedurat standarde të ruajtjes dhe shoqërimit të të paraburgosurve, si pasojë e të cilave ka ardhur largimi nga ambientet e kësaj Gjykate të këtij të paraburgosuri.
Ahmeti është kapur disa orë më vonë nga forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se gardistët kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”. Materialet i proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





