Transmetuar më 08-02-2018, 10:30

Seanca e sotme parlamentare ka nisur me interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike, lidhur me ekstradimin e Nezar Seitit drejt Italisë, i njohur ndryshe si “financieri” i bandës së Habilajve.

Ka qenë deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, ai që në fjalën e tij ka kërkuar llogari nga qeveria dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, për ekstradimin e tij.

Alibeaj deklaroi se ligji shqiptar e ndalon të ekstradohet një person kur në Shqipëri ka një dosje hetimore.

Ai tha se Ministrja e Drejtësisë duhet të bënte verifikime para se të vendoste ekstradimin e Nezar Seitit.

“Ekstradoi Nezar Seitin me ngut, duke mos respektuar ligjin. Financieri i bandës së Habilajve ishte e vetmja gojë që do të fliste. Në historinë mes hajdutëve dhe kriminelëve ju ku e fusni veten?! Pranoni përgjegjësinë. Në burgun 313 ka një qeli e lënë bosh, e vetme ajo qeli nuk ju mban të gjithëve”, u shpreh Alibeaj.

Nga ana e saj Gjonaj tha se Seiti, është ekstraduar sipas të njëjtës procedure ligjore, që është ndjekur për shumë raste të tjera edhe vite më parë.

Ajo sqaroi se “Ministria e Drejtësisë ka vepruar konform të gjitha rregullave dhe ligjeve, si ato të legjislacionit të brendshëm dhe të gjitha akteve ndërkombëtare”.

Gjonaj deklaroi se ndjek kauzën e qeverisë, dhe ndodhet në konflikt me opozitën për një kauzë, që sipas saj, opozita nuk e ka.

“Kauza e qeverisë është reformimi i drejtësisë”, deklaroi Gjonaj. Në vijim ajo tha me ironi se "dëshmitari kyç" sipas opozitës, u hoq nga duart e prokurorisë së kapur nga Kryeministri dhe iu dorëzua Prokurorisë së antimafias italiane.

Po ashtu sqaroi se Ministria e Drejtësisë është vënë në lëvizje dhe investuar pas një shkrese të paraqitur nga Interpol Tirana.

“Shkresa përcaktonte se Nezar Seiti ishte një person në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria e Katanias. Ne jemi investuar vetëm përmes kësaj shkrese të ardhur nga Interpol Tirana ku bëhej me dije se personi në fjalë është ndaluar për efekt ekstradimi”, deklaroi ministrja.

Ndër të tjera tha se interpelanca e PD është një sebep i krijuar nga hiçi.

"Në rast se doni të vërtetën, atëherë më mirë se kush prokuroria dhe gjykata e Katanias që ka kryer për 4 vjet hetime e përgjigje dhe është në fazë të avancuar, e bën më mirë këtë çështje? Si ka mundësi që sulmoni pa pushim? Motivi politik ju ka shtyrë deri në shpifje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe mua personalisht, motivi politik që ju ka bërë qesharak”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Në replikë ndaj saj Alibeaj tha se fjala e fundit e ministres ngjante me atë të një gjyqi moral dhe politikë, “fjala e fundit me të cilën kërkoi mëshirë”.

Gjonaj deklaroi se përpjekja e opozitës është si ajo e të mbyturit të kapur pas fijes së barit dhe se sa më shumë shtrëngohet laku i reformës në drejtësi, aq më shumë shtohen klithmat e opozitës.

Sipas saj, është i thjeshtë fakti se reforma në drejtësi ka nisur zbatimin e saj, "i asaj reforme që ju jeni përpjekur që ta ndalni. Por sot rrugëtimi është i pandalshëm. Pushteti gjyqësor po rrëshqet nga duart e politikanëve.

Seiti i njohur edhe si “financieri” i bandës së Habilajve, nën akuzë për trafik droge, u ekstradua dy javë më parë drejt shtetit fqinj.

Sakaq Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin lidhur me procedurat e ndjekura për ekstradimin drejt Italisë të Nezar Seitit. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd