Transmetuar më 08-02-2018, 10:14

Pesë persona janë vënë në prangat e policisë, pas hetimeve që zgjasnin prej muajsh nga policia e Elbasanit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit të koduar “Porosia” mbrëmjen e djeshme u bë arrestimi i  Geraldo Yzeirllarit, 20 vjeç, banues në Pogradec;  Kristi Maxhari, 21 vjeç, banues në Pogradec; Kristian Petani, 22 vjeç, banues në Pogradec; Edmond Abazi, 39 vjeç, banues në fshatin Hudenisht, Pogradec dhe  Gazmor Kokla, 39 vjeç, banues në fshatin Gribë, Gramsh.

Në një konferencë të mbajtur për mediat nga policia e Elbasanit paraditen e sotme, u bë me dije se arrestimi i tyre u krye nga forcat e posaçme në disa ndërhyrje në Pogradec dhe në Gramsh.

Geraldo Yzeirllarit dhe Kristi Maxharit u janë gjetur dhe sekuestruar 82 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse, e llojit tritol.

Edmond Abazit i është gjetur dhe sekuestruar 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Gjatë kontrollit të banesës së Gazmor Koklës, në Gramsh janë gjetur një armë zjarri automatik, një pushkë me 440 fishekë, 3 automjete, 15 celularë si dhe  sasi e konsiderueshme lekësh.

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal është shpallur në kërkim shtetasi E.H., 20 vjeç banues në Pogradec, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Aktualisht bijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Mbrëmjen e djeshme RENEA dhe FNSH mbështetën policinë lokale në Elbasan, e cila po drejtohet nga Altin Qato, duke arrestuar personat e dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale. /a.y/noa.al

Arrestimet në Elbasan, RENEA dhe FNSH "blindojnë" qytetin 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd