Transmetuar më 07-02-2018, 14:38

Deputetja demokrate Valentina Duka, ka akuzuar ministren e Kulturës Mirela Kumbaro si përgjegjëse për zhdukjen e monumenteve të kulturës.

Në një dalje për mediat ditën e sotme, ajo shprehu indinjatë të thellë për zhdukjen nga harta e monumenteve të kulturës të Urës së Hoshtevës në zonën e Libohovës një urë e periudhës Osmane, e përdorshme edhe sot nga banorët e Zagorisë dhe urës tjetër e krahinës së Orgockës, një urë e periudhës osmane që i takon Qarkut të Korçës.

Duka deklaroi se këto dy ura janë të trashëguara nga 300 vjet më parë, të ruajtura me shumë fanatizëm nga banorë të zonës, por edhe nga specialistë shqiptarë që e kanë dashur kulturën.

Por ajo vijoi qëndrimin e saj duke thënë se brenda dy ditësh, si rezultat i vërshimit të lumenjve, ato u zhdukën jo vetëm nga harta e monumenteve të kulturës, por edhe nga harta e gjeografisë së Shqipërisë për të mos i parë më kurrë.

“Sado premtime të ketë se ato do të rindërtohen, ato nuk mund të bëhen ashtu sikundër kanë qenë. Janë ura unikale dhe që banorët e këtyre zonave, specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë kohë që trokasin në derën e Ministres së Kulturës për të ndërhyrë urgjentisht në riparimin e tyre, por derë e saj ka qenë e mbyllur. Përgjigja e Ministres së Kulturës ka qenë arrogante, qeveria Rama nuk ka reaguar në kohën e duhur për restaurimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare”, u shpreh Duka.

Ndër të tjera shtoi se ka pasur fatin të vizitoj shumë ura të tilla në vendet e Ballkanit, ku qeveritë e Ballkanit shpenzojnë pothuajse dyfishin e parave të qeverisë Rama për t’i ruajtur ato.

“Jam këtu, që në emër të Partisë Demokratike, të dënoj papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama. Në mbrojtje të institucioneve të kulturës sonë kombëtare, si elementë, si pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, tha në mbyllje Valentina Duka. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd