




"Forca e Ligjit" ka goditur një tjetër grup kriminal! Policia e Lezhës bën me dije se janë sekuestruar mbi 1.4 milion euro pasuri të një grupi të dyshuar kriminal. Mësohet se ky grup ishte i dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni.
Ndaj grupit u vendos sekuestro preventive për 15 pasuri të paluajtshme: 7 ambiente biznesi, me sipërfaqe rreth 1100 m2 si Hotel, Bar, Restorant; 4 ambiente banimi, me sipërfaqe rreth 1000 m2 (apartamente, vila); 4 parcela tokë arë, me sipërfaqe totale rreth 22900 m2; 9 automjete luksoze.
Pasuritë e sekuestruara kapin vlerën totale rreth 1,450,000 euro. Këto pasuri rezultojnë të regjistruara në emër të shtetasve: Parid Selaj, 40 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë; Valentin Selaj, 49 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, i arrestuar nga policia e Firences në Itali, si drejtues i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika në Itali dhe shfrytëzimin për prostitucion;
A.S., 35 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë, i arrestuar në vitin 2008 nga policia e Trentos në Itali si pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda drejt Italisë, në kuadër të operacionit “Apuleio” dhe në vitin 2010 u dënua me 4.6 vite burg.
Hetimi për këtë grup kriminal, nisi bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Në janar të vitit 2018, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë u dokumentua veprimtaria kriminale dhe pasuritë e dyshuara se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Policia i sugjeroi Prokurorisë vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e identifikuara në pronësi të pjesëtarëve të grupi kriminal dhe familjarëve të tyre./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





