Transmetuar më 06-02-2018, 14:41

Lëvizja Socialiste për Integrim në mbledhjen e grupit parlamentar të mbajtur mesditën e sotme diskutoi për projektligjin që kaloi në Komisionin e Aktiviteteve Prodhuese, për disa ndryshime dhe shtesa në ligin për menaxhimin e integruar të burimeve ujore.

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, aktualisht deputet i LSI, tha në një dalje për mediat, se pozicioni i partisë së tij raport me reformën e ujit dhe për administrimin e integruar të burimeve ujore është i qartë.

“Të gjithë jemi të interesuar për një mirë administrim të burimeve ujore të vendit. Por këto nuk duhet të kthehen në instrumenta penalizues, që shtojnë barrën e tatimeve dhe taksave, veçanërisht mbi përdoruesit e ujit në zonat rurale dhe për fat të keq hapat qeverisë në këtë drejtim janë dekurajuese për atë masë të madhe të fermerëve të cilët janë privuar nga investimet prej vitesh në rritjen e kanalizimeve të ujësjellësave në fshat. Dhe që tashmë përballen me një barrë të pamerituar tatimore dhe fiskale. Pra të detyruar që të përballojnë tatime dhe taksa shtesë për përdorimin e ujit të cilët ata e kanë bërë në mungesë të investimeve qeveritare, me investimet e tyre private”, u shpreh Panariti.

Ai shtoi se qeveria duhet tu ishte mirënjohëse atyre të cilët me sakrificat e tyre me mund dhe me kursimet e tyre kanë investuar në shpimin e puseve dhe në shfrytëzimin e burimeve ujore.

Sipas tij, duhet të ndodhte e kundërta, teksa propozohet aplikimi i taksave shtesë, e cila rëndon buxhetet familjare, kur qeveria tha ai, ka për detyrë të shtronte kanalet, ujësjellësat të investonte në infrastrukturë, por se rëndohen familjet me taksa shtesë.

Por në këtë linjë shtoi se ngarkohen me taksë shtesë për përdorimin e burimeve ujore, duke deklaruar se uji është jeta.  

“Natyrisht një familje fermere në fshat, pusin nuk e ka vetëm për vaditje por edhe për përdorim familjar, për të pirë ujë dhe për përdorime të tjera. Prandaj aplikimi i taksës është një penalitet, një rëndesë e pamerituar mbi familjet fermere, dhe sigurisht rëndon akoma më shumë gjendjen e tyre të rëndë ekonomiko-financiare. Prandaj qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i prerë”, deklaroi ish-ministri i Bujqësisë.

Ai nënvizoi se LSI, nuk mund të lejojë që familjet fermere, përdoruesit e ujit në fshat në mungesë të investimeve për ujësjellësa dhe kanalizime të ngarkohen me taksa dhe tatime shtesë për investime që ata kanë bërë me burimet e tyre financiare, me mundet dhe sakrificat e tyre.

“Prandaj vota jonë në seancën plenare, për këto nisma dekurajuese dhe rënduese mbi familjet fermere do të jetë kundër”, tha në mbyllje të qëndrimit të tij Edmond Panariti. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd