Transmetuar më 06-02-2018, 13:30

Kreu i ALUIZNI, Artan Lame, fton gjithë personat e interesuar që tëa plikojnë për 200 vende të lira pune. “Punë ka, ejani profesionistë!”, shkruan Lame në Facebook, ku publikon edhe videon që gjeni më poshtë.

Ai bën me dije se përpara disa ditësh u miratua në Qeveri VKM-ja që përcakton numrin e punonjësve me kontratë që mund të punësojë çdo institucion dhe në këtë kuadër edhe institucionet e pronësisë, përfshirë këtu Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës.

Lame thotë se ky është një proces që përsëritet çdo fillim viti dhe përmes së cilit, për punonjësit që e kanë justifikuar punën, bëhet rinovimi i kontratave, ndërsa për ata që, me gjithë këtë impenjim tonin, nuk e kanë justifikuar, me keqardhje detyrohemi të mos jua rinovojmë kontratën.

Kreu i ALUIZNI thotë se prej disa ditësh institucionet po përzgjedhin me kujdes ata punonjës që po ju rinovohen kontrata dhe, nga ana tjetër, po përgatisim kushtet për angazhimin e punonjësve të rinj.

“Përtej kushteve të zakonshme ligjore, për këto 200 vende pune, ka vetëm dy kushte bazë për të përfituar nga këto kontrata: Të keni dëshirë dhe vullnet për të punuar; Të keni mbaruar shkollimin në një nga specialitetet e mëposhtme: – Gjeodezi, të paktën diplomë Bachelor; Topografi, të paktën diplomë Bachelor; Gjeo-informatikë, diplomë Master”, shprehet Lame.

Ai shton se kushdo që plotëson këto dy kushte, është i ftuar të paraqitet pranë drejtorive të ALUIZNI-t, të ZRPP-së dhe ATP-së, dhe do të ketë të garantuar lidhjen e kontratës.

Lame e mbyll fjalën duke thënë, “Për ju do të jetë një mundësi për karrierën tuaj, për mua do të jetë një vërtetim i asaj thënies që “punë ka po s’ka profesionistë”. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd