Transmetuar më 06-02-2018, 10:54

Një sherr masiv është shënuar mesditën e kësaj të hëne, ku një burrë ka rrahur ish-dhëndrin dhe ish-krushqit e tij.

Nën akuzë i vënë në prangat e policisë së Korçës, është  Aurel Xhambazi, 40 vjeç.

Ai akuzohet se në lagjen nr.8 në Korçë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-dhëndrit të tij E.K, 23 vjeç, si edhe ndaj prindërve të këtij të fundit, ish- krushqve, konkretisht shtetases V.K., 39 vjeçe dhe shtetasit A.K, 45 vjeç, të tre banues në Korçë.

Të dëmtuarit përfunduan në spital, ku pasi morën ndihmën e parë nga bluzat e bardha, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga policia i thanë Noa.al, se gjithçka ka ndodhur për shkak të divorcit mes vajzës së Xhambazit dhe 23-vjeçarit, pas një martese katër vjeçare dhe një fëmije.

Mësohet se vajza e 40-vjeçarit, kishte shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortit, duke kërkuar të merrte djalin e mitur, por 23-vjeçari nuk ia ka dhënë, duke i thënë se “Nuk do të vij me ty. Do rrijë me ne”.

Vajza është kthyer në shtëpi dhe i ka treguar gjithçka të atit, i cili ka shkuar në tregun ku shisnin rroba të përdorura ish-dhëndri dhe familja e tij, duke nisur të konfliktohet, deri sa i ka bërë në spital.

Në konflikt janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë për t’i ndarë.

Kjo bëri që Aurel Xhambazi të arrestohet nën akuzën e veprës penale “Dhuna në familje”, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd