Transmetuar më 05-02-2018, 16:29

Ish- ministri i LSI-së tek Transportet, Edmond Haxhinasto, po verifikohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për dosjen e rrugës Tiranë- Elbasan.

Mësohet se verifikimet për Haxhinaston kanë nisur për shkak se nuk ka marrë masa për disa auditive që janë bërë për këtë rrugë.

Për këtë dosje Gjykata e Krimeve të Rënda ka nxjerrë 3 masa arresti për ish- drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish- zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka të kallëzuar penalisht nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë- Elbasan.

Sakaq Krimet e Rënda po verifikojnë nëse për të njëjtën dosje Edmond Haxhinasto e ka kryer apo jo detyrën si ministër. 

Burimet i konfirmuan “TCh” se ka dyshime paraprake se pavarësisht kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2016 për keqmenaxhim të projektit, ministria e Transporteve nuk ka marrë masa.

Por dyshimi më i fortë që po verifikohet është nëse vetë ish-ministri, pas shkeljeve të konstatuara, a ka urdhëruar apo jo ngritjen e një komisioni të brendshëm për vlerësimin e situatës. Gjatë javës pritet që Dashamir Xhika do të dalë për njohje me masën e sigurisë edhe para Krimeve të Rënda. /b.l/noa.al/