Transmetuar më 05-02-2018, 14:04

Zbulohet emri i drejtuesit të lartë të policisë, i cili merr detyrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit, duke zëvendësuar Haki Çakon.

Bëhet me dije se drejtori i ri është Ardi Veliu, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e kryepolicit të Tiranës.

Mësohet se ai është propozuar nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ka marrë miratimin e Edi Ramës gjatë ditës së sotme.

Veliu merr drejtimin e policisë pas shkarkimit të afro një muaji më parë të Haki Çakos.

Pak ditë më parë u bë konkursi për gardën “Drejtuesi i parë”, ku fitues dolën Ardi Veliu, Artan Shkëmbi, Bledar Çeliku, Gentian Shehaj dhe Kastriot Skënderaj.

Por Veliu u rendit i pari në konkurs me pikët më të larta, çka duket se e ka favorizuar që të marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kush është Ardi Veliu

Ardi Veliu, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Delvinë. Është i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”.

Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë.

Nga viti 1993 deri në vitin 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Tiranë.

Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Ankara-Turqi.

Krahas këtyre studimeve, diplomohet edhe në Fakultetin e Manxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003 -2007 pa shkëputje nga puna.

 Eshtë diplomuar gjithashtu edhe në Bachelor Fakulteti Juridik.

Ka përfunduar një sërë kursesh profesionale trajnuese të organizuara nga Pameca, ICITAP dhe OSBE brenda dhe jashtë shtetit, si, në Hungari, SHBA, Poloni, Itali dhe Akademinë e Sigurisë, Tiranë;

Ka përfunduar kursin 8-javor pranë qendrës ILEA, Budapest, organizuar nga ICITAP.

Është një njohës i mirë i gjuhës Turke dhe Angleze.

Karriera profesionale:

-Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999)

-Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002)

-Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004)

-Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006)

-Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014)

-Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015)

-Drejtor i Kolegjit të Policisë (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016

-Drejtor i Policisë Rrugore ne Drejtorinë e Policisë së Shtetit 29.07.2016- 27.04.2017

-Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd