





Pa u tharë ende muret e shtëpive nga vërshimi i ujit të reshjeve të afro dy muajve më parë, përmbytjet janë rikthyer sërish dhe kërcënojnë zona të tëra.
Janë rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosur të cilët kanë zbritur në terren mëngjesin e kësaj të diele, për përballimin e situatës, ku kanë nisur evakuimet e familjeve dhe bagëtive. Po ashtu disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.
Nga përmbytjet janë shfaqur problemet e para në qarkun e Vlorës dhe të Fierit dhe më konkretisht në zonën e Novoselës dhe Ferrasit.
Ka qenë dalja e lumit Vjosë, si pasojë e reshjeve të dendura, ai që ka vërshuar në disa banesa, çka ka bërë që në Ferras, të evakuohen familjet e para.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Novoselë të Vlorës, ku sërish janë evakuuar disa familje, madje të largohen edhe mobiljet, në mënyrë që mos ti “marrë lumi”.
Sakaq qysh në orët e para të mëngjesit janë mbledhur Shtabet e Emergjencave në Fier dhe Vlorë, për të marrë masat e nevojshme./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





