Transmetuar më 03-02-2018, 13:36

Shtetasi grek, Efthymiou Efthymious ka mohuar të ketë vrarë Devi Kasmin, ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në Tiranë. Ai ka deklaruar se është i shokuar nga arrestimi.

“Jam i shokuar nga arrestimi, nuk kam lidhje me ngjarjen. Në Shqipëri kam ardhur për qejf. S’kam kryer asnjë krim”, ka deklaruar Efthimius gjatë dëshmisë paraprake përpara hetuesve.

Pamjet e kamerave të sigurisë së palestrës së Devi Kasmit ndihmuan policinë të binte në gjurmët e ish-anëtarit të forcave speciale greke që dyshohet si ekzekutor i 42-vjeçarit. 

Në pamje viktima dhe ekzekutori shfaqen duke debatuar. Vetë Efthimiu Efthimius i vënë në pranga nga policia ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen dhe se ishte i shokuar nga arrestimi.

Ai nuk ka dhënë shpjegime nëse njihej me Devi Kasmin si dhe ka refuzuar të japë detaje rreth debatit që ka zhvilluar me të tri ditë përpara se ai të ekzekutohej në rrugën “Petro Cani”.

Nga hetimet rezulton se shtetasi grek ka hyrë në Shqipëri prej afro dy muajsh dhe është vendosur në një shtëpi me qira në zonën e “Unazës së Re”. Ai ka pranuar se gjatë qëndrimit në vendin tonë është njohur me njërin nga personat e arrestuar me të.

Dyshohet se 41 vjeçari grek është kontraktuar nga Aurel Hoxhallari, organizator i grupit kriminal që u përfshi në atentatin ndaj Kasmit, dhe është paguar me një shumë prej 25 mijë eurosh.

Burime zyrtare bënë me dije se gjatë arrestimit shtetasit grek i është gjetur një shumë e tillë, që mendohet se ka qenë pazari për ‘kokën’ e 42-vjeçarit. 

Po ashtu, të njëjtat burime pohojnë se shtetasi grek, një ish-pjesëtar i forcave speciale greke, kishte ardhur në Shqipëri dy muaj më parë, ndërsa thuhet se kishte si synim që të largohej pak kohë pas vrasjes që mos të lindte ndaj tij asnjë dyshim.

Efthymiou Efthymious 41 vjeç lindur e banues në Arta të Greqisë është vetëdeklaruar si ish-punonjës i forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në vitin 2012, ai është përjashtuar nga kjo strukturë për faktin se është konstatuar si trafikant i lëndëve narkotike.

Me shtetasin grek janë arrestuar edhe Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur  në Skrapar e banues në Tiranë ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit, Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes, Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur  e banues në Tiranë dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd