
Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar edhe gjatë ditës së sotme lidhur me marrëveshjen Marku- Xhafaj, ku shprehet se trafiku i drogës tashmë ka mburojën e vet në drejtësi.
Përmes një postimi të tij në rrjetin social Facebook, Vasili deklaron se kjo është marrëveshje për të arrestuar e përndjekur gjithë shqiptarët, për të ringjallur përndjekjen politike të sigurimit të shtetit dhe për mos dënuar kurrë trafikantët dhe kryeministrin e tyre.
“Trafiku i drogës ka tashmë mburojën e vet në drejtësi, marrëveshjen Marku-Xhafaj. Kryeministri, që udhëheq vetë drogën i ka emëruar po vetë këta të dy, pra janë të tre pjesë së njëjtës kauzë të zezë. Kryeministri ka shkatërruar zgjedhjet e 25 qershorit dhe i tha policisë flakni uniformat dhe bëni vota për Partinë Socialiste. Është kallëzuar kryeministri në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është mbyllur meqë medemek kishte kërkuar falje në Facebook pas kryerjes së një krimi shtetëror shumë të rende”, shkruan Vasili.
Më tej ai shton se a ka guxim ta komentojë Xhafaj këtë vepër penale, që sipas tij dezintegroi policinë, rendin, sigurinë publike, dhe a ka sipas tij guxim Marku ta rihapë këtë dosje të mbyllur trupërisht.
“A ka guxim Marku ta rihapë këtë dosje të mbyllur turpërisht, sigurisht që jo. Atë 69 votat e rilindjes nuk e kanë shpunë aty për të çuar përpara drejtësinë kryeministrin. Po ministren e drejtësisë, që dhunoi kod, ligj e kushtetutë e arrestojnë dot këta dy të besuarit e kryeministrit? Po ish ministrin e brendshëm të akuzuar nga të gjitha anët brenda e jashtë Shqipërisë, a e arrestojnë dot këta dy besnikët e kryeministrit? Jo dhe jo”, shprehet Vasili.
Kreu i grupit parlamentar të LSI deklaron më tej se ata janë aty të dy bashkë në marrëveshjen e turpit për ti mbyllur, për ti mbuluar e për ti groposur këto çështje si dhe për të varrosur pa kthim reformën në drejtësi.
“Kjo është marrëveshje për të arrestuar e përndjekur gjithë shqiptarët, për të ringjallur përndjekjen politike të sigurimit të shtetit dhe për mos dënuar kurrë trafikantët dhe kryeministrin e tyre. Anulojeni këtë marrëveshje kriminale, mbroni veten të paktën, vjen shpejt dita e gjykimit,mos harroni….”, përfundon Vasili. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





