Transmetuar më 03-02-2018, 10:00

Një zonë strategjike duket se është zgjedhur nga ana e Aurel Hoxhallarit, i shpallur në kërkim si organizatori i grupit që kreu vrasjen e Devi Kasmit, në Tiranë. “News 24” ka qenë në këtë banesë, rrethuar një ditë më parë nga policia, brenda së cilës u gjet edhe një arsenal i madh armësh.

Banesa është në një zonë të izoluar, larg vëmendjes së njerëzve, nuk ka lidhje me banesa të tjera, ndërkohë që anash saj ka tunele, që përdoreshin nga Hoxhallari për fshehjen e armatimeve që përdoreshin për llogari të grupit kriminal.

Mësohet se Hoxhallari, tashmë në kërkim nga policia ka edhe dy banesa të tjera në zona periferike, njërën në Yzbertisht dhe një tjetër te zona e Astirit.

Hoxhallari nuk është një emër i panjohur në botën e krimit, pasi në janar 2015, më bashkëpunim me kushëririn e tij Amarildo Hoxhallari, dyshohet se porositën atentatin ndaj Pajtim Serjanit, i njohur si shoku i Emiljano Shullazit.

Atentati ndodhi në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë, por pak ditë më vonë Hoxhallari, u la i lirë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për mungesë provash.

Kushërinjtë Hoxhallari dyshohet se kishin porositur Artur Bazen, për të “hequr qafe” Serjanin. Por ky i fundit u vra nga shoku i Serjanit, efektivi i policisë Roland Meta.

Policia e Tiranës bëri me dije ditën e djeshme, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në ekzekutimin e Devi Kasmit. 

Gjatë këtij operacioni të, u arrestuan në flagrancë Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Ky operacion u kurorëzua nga informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 29 Janar 2018, ku në rrugën “Petro Çani” u vra me armë zjarri Devi Kasmi.

I shpalluri në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.  Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd