Transmetuar më 02-02-2018, 17:05

Pas arrestimit të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve Dashamir Xhika, mësohet se në banesën e tij policia ka sekuestruar 80 dosje me dokumente tenderësh.

Kallëzimi për abuzime ndaj Dashamir Xhikës u bë nga prokuroria e Elbasanit, konkretisht: shpërdorim fondesh në ndërtimin e aksit rrugor Tiranë- Elbasan, më saktësisht në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat e rrugës së Gjinarit kanë nisur që në vitin 2009.

Ndërkohë me urdhër të prokurorisë u arrestuan Andi Toma , ish-drejtor i Përgjithshëm i ARRSH Dashamir Xhika, ish-drejtor i Përgjithshëm i ARRSH, Rexhep Tarba, mbikëqyrës punimesh, Agron Hysa, administrator, Kujtim Hysa, administrator.

Gjithashtu mësohet se persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe priten arrestime të reja. Prokuroria dyshon se të gjithë këta persona kanë shpërdoruar detyrën, apo kanë vjedhur gjatë tenderimit të rrugës Elbasan- Gjinar dhe rehabilitimit të këtij aksi rrugor.

Dy ish-drejtorët dhe vartësit e tyre janë arrestuar pas hetimit të prokurorisë së Elbasanit, lidhur me kallëzimin e bërë nga ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri, në muajin dhjetor.

Ministri kërkoi hetimin e çështjes pas auditit të zhvilluar për rrugën Tiranë-Elbasan ku u gjetën 5.3 miliardë lekë të vjetra dëme financiare. Në total janë firmosur 11 urdhër arreste nga kryeprokurori i Elbasanit Ardian Nezha. /b.l/noa.al/