Transmetuar më 02-02-2018, 13:21

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu bën me dije se është arrestuar ekzekutori i 42-vjeçarit Dëfrim (Devi Kasmi), i vrarë në një atentat mafioz mbrëmjen e kësaj të hëne poshtë shtëpisë së tij në Tiranë.

Në një dalje për mediat mesditën e sotme, Veliu deklaroi se Elton Halipaj, ka siguruar mjetet për vrasjen.

I dyshuar si organizator është Aurel Hoxhallari, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa bëri me dije se është përdorur një shtetas grek si ekzekutor, i cili rezulton vrasës me pagesë.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur  e banues në Tiranë.

Gjithashtu u shpall në kërkim Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Ky operacion u kurorëzua nga informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 29 Janar 2018, ku në rrugën “Petro Çani” u vra me armë zjarri Devi Kasmi.

I shpalluri në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Ndërsa Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të preçizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje si ato të policisë, të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.

Gjatë operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit; 4 armë automatikë; dy snajperë; katër pushkë automatike; një armë antitank me dy predha; një bombë me telekomandim në distancë; një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol; 4 radio marrëse; një dron; 110 kg kanabis dhe dy maska.

Grupi i punës vijon me intensitet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të.

Viktima njihej edhe si Dëfrim “qorri”, apo “fantazma”, pseudonime të cilat i kishte fituar në sajë të së kaluarës së tij kriminale.

Në shtëpinë e Devi Kasmit, u gjetën 3 kilogramë lëndë narkotike kokainë dhe një armë automatike me silenciator. Kujtojmë se viktimës iu gjetën, edhe një pistoletë në çantën që mbante me vete dhe një tjetër pranë trupit të pajetë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd