Transmetuar më 02-02-2018, 13:00

Raportet mes trajnerit Antonio Conte dhe drejtuesve të Chelseat, skuadrës kampione në fuqi të Anglisë, komplikohen nga dita në ditë. 

Jo vetëm merkatoja, që nuk e kënaqi aspak teknikun italian, por edhe rezultatet gjithashtu kanë thelluar hendekun mes palëve, që po shkojnë drejt një divorci të pashmangshëm në fundin e këtij sezoni.

Abdikimi nga froni tashmë është i certifikuar, e “blutë” e Londrës duhet të luftojnë për një vend në Champions. Pa prestigjin dhe milionat e këtij turneu, edhe lojtarët më të spikatur mund të largohen.

Pas disfatës në shtëpi kundër Bournemouth, Chelsea e sheh veten tani në vendin e tretë me Liverpoolin, 18 pikë larg nga kreu. Në Angli janë të sigurtë për largimin e italianit, e është thjesht çështje kohe, ndoshta edhe ditësh.

Kandidati numër një për ta pasuar po profilizohet gjithmonë e më shumë Luis Enrique. Pasi braktisi pankinën “blaugrana” në fundin e sezonit të kaluar, ish-futbollisti spanjoll është gati të rikthehet në diskutim, e ta bëjë këtë nga një vitrinë e rëndësishme si ajo në “Stamford Bridge”.