Transmetuar më 01-02-2018, 14:46

Me përfundimin e afatit për vetëdisiplinimin e situatës me ujin e pijshëm, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë nisi sot në terren aksionin  për verifikimin dhe ndërprerjen e të gjitha rasteve të lidhjeve të paligjshme nga bizneset, me synim përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Tetë  grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendruan në zonën e Astirit dhe të Dajtit.

Në zonën e  Dajtit, u bënë 15 verifikime të hollësishme në biznese të dyshuara për lidhje të paligjshme, si dhe 10 të tjera në zonën e Astirit. Nga kontrolli rezultuan katër raste të abuzimit me ujin e pijshëm, ku për një rast është kryer edhe shoqërimi i shkelësve. 

Gjithashtu, në dy linjat kryesore të transmetimit, ajo dn 700 dhe dn 1000, që dalin nga impianti i Bovillës, u konstatuan gjithsej 14 lidhje të paligjshme. Aktualisht procesi i verifikimit të lidhjeve të paligjshme në këto tubacione po vijon ende. 

Ndërkohë, afati për vendosjen e lidhjeve të ligjshme dhe me kontratë më UKT është zgjatur deri më 28 shkurt vetëm për konsumatorët familjarë. /b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd