


Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj njoftoi se opozita do të kërkojë interpelancë në Parlament me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj për ekstradimin në Itali të Nezar Seitit. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alibeaj thotë se ekstradimi i financierit të bandës së "Habilajve" është bërë për të mbyllur hetimin në Shqipëri ndaj Saimir Tahirit.
“Javën e fundit, me urdhër të Edi Ramës, qeveria kreu një nga aktet më të rënda për prishjen e hetimeve, që përfshijnë Saimir Tahirin në trafikun ndërkombëtar të drogës. Nezir Seitaj, financieri i bandës së Saimir Tahirit dhe Habiljave është rrëmbyer nga shteti shqiptar ditën kur pranoi të ishte bashkëpunëtor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të rrëfyer milionat e marra nga Saimir Tahiri si përfitim nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Ky është një akt më i rëndë edhe sesa vetë trafiku i drogës nga Saimir Tahiri. I pari tregon lidhjen e Ministrit të Brendshëm me trafikun e drogës. I dyti tregon sesi i gjithë shteti, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Prokuroria, Drejtoria e Burgjeve, më urdhrin e Edi Ramës kanë rrëmbyer dëshmitarin e vetëm, kur ai rrezikonte zbërthimin e çështjes ‘Tahiri’”, u shpreh Alibeaj.
Për këtë arsye, Partia Demokratike ka vendosur të thërrasë në një interpelancë urgjente Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku sipas Alibeaj ajo është përgjegjëse kryesore për ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitajt, financierit të bandës Tahiri-Habilaj.
“Ne jemi të bindur se kjo interpelancë urgjente me Ministren e Drejtësisë do t’i shërbejë zbulimit të mëtejshëm të skemës së Edi Ramës për të mbyllur dosjen e përfshirjes së Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës. Pjesë e skemës është vendimi për të rrëmbyer dhe larguar nga Shqipëria financierin e bandës Tahiri-Habilaj, Nezar Seitaj, i cili është në dijeni të të gjitha parave që Saimir Tahiri ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Italisë”, shton ai.
Partia Demokratike disponon provën zyrtare që sipas opozitës provon se, për t’i shërbyer Edi Ramës që të mbyllë dosjen “Tahiri”, Ministrja e Drejtësisë gënjen, kur deklaron se nuk ka qenë në dijeni se financiari i bandës Tahiri-Habilaj po hetohej në Shqipëri.
“Sipas ligjit shqiptar, kur një person ka një procedim penal në Shqipëri, ekstradimin e tij është i ndaluar. Në procesverbalin e arrestimit të financierit të drogës së Tahirit dhe Habiljave, thuhet se Nazer Seitaj u ndalua për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 19 tetor 2017, pas aksionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestruan 4 tonë drogë. Ky procesverbal rrëzon dekaratën e Ministres së Drejtësisë se nuk e dinte që për Nezir Seitajn kishte një çështje penale në Shqipëri”, tha Alibeaj. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





